MASHT e SBASHK me deklarata të kundërta: Njëra palë thotë se mësimi fillon në shtator, tjetra deklarohet ndryshe

Situata me pandeminë ka bërë që edhe në vendin tonë mësimi të fillojë me vonesë, e që sipas MASHT’it, procesi do të nis nga 14 shtatori. Mirëpo, nga SBASHK’u sot deklaruan se kthimi i nxënësve në banka shkollore mund të shtyhet sërish.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj sot deklaroi se viti i ri shkollor do të nisë më 14 shtator, i cili tutje shtoi se kjo është rekomanduar nga IKSHPK dhe vendimi është marrë bashkë me SBASHK’un dhe akterët tjerë.

“Me aprovimin e ligjit anti-COVID-19  dhe miratimin në gazetën zyrtare, Ministria e Shëndetësisë ka autorizime të mëdha dhe para se të merret vendimi jemi ftuar bashkë me SBASHK-un, Shoqatën e Prindërve, Ministrinë e Shëndetësisë… dhe kemi dëgjuar rekomandimet dhe vendosëm që viti i ri shkollor të fillojë 14 shtator”, është shprehur Likaj.

Mirëpo kaq të sigurt si ministri i Arsimit nuk janë shprehur nga SBASHK’u, të cilët sot thanë se procesi mësimor mund të shtyhet sërish nëse nuk sigurohen mjetet për mbajtjen e orëve.

Sekretari i SBASHK, Ymer Ymeri sot për Ekonomia Online ka thënë se nëse nuk ndryshon situata deri më 14 shtatori, apeli i tyre do të jetë që mësimi të shtyhet sërish.

“Shumë sinqerisht iu kemi thënë se nëse deri më datë 14 shtator na gjen e njëjta situatë sikur sot, përsëri apeli ynë do të jetë mos me filluar mësimi për shkak se e shohim humbje më të madhe të jetës së njerëzve sesa humbjen e procesit mësimor dhe nuk dëshirojmë që shkollat të jenë vatra të shpërthimit të epidemisë dhe përhapjes së saj. Dëshirojmë që të jenë vatra të diturisë”, tha Ymeri.

Kujtojmë se nxënsit e Kosovë kanë ndërprerë mësimin në shkolla që nga 13 marsi, kur edhe u konfirmuan rastet e para me koronavirus në vend.

Që nga atëherë, mësimi është mbajtur përmes platformave të ndryshme “online”, por që nga ekspertët u vlerësua se nuk e ka efektin e njëjtë si ai në shkolla dhe se shumë prej tyre nuk kanë pasur mundësi të kyçen në orë.

Ndryshe, gjatë tre muajve të fundit në vendin tonë është vërejtur rritje e dukshme e rasteve me koronavirus si dhe e viktimave nga kjo sëmundje.