Maserati Project 24 i ri është një hipermakinë ekstreme e prodhuar vetëm për pista

Ka pasur një numër të madh të hiperveturave të prodhuara në Itali e që janë të dedikuara vetëm për pista gjatë viteve të fundit, me Pagani, Ferrari dhe Lamborghini të cilat janë përfshirë në këtë fushë, por tani është radha e Maserati me hiperveturën e saj të re Project24.

Maserati në fakt veçse kanë eksperienca të mëparshme në krijimin e superveturave ekstreme të dedikuara vetëm për pista. Në vitin 2006 marka italiane e lansoi Versione Corse me bazë të MC-12, e cila u dizajnua vetëm për përdorim në pista garuese.

Njëjtë si vetura e lartë përmendur, Project24 i ri do të kombinojë komponentë nga një veturë e dedikuar për rrugë, kësaj radhe nga supervetura MC20 me teknologjinë e veturave garuese, shkruan AutoExpress, transmeton Telegrafi

Firma me bazë në Modena thotë: “Project24 trashëgon specifikat e Maserati, duke e përmirësuar atë me specifika teknike që kanë avancuar edhe më shumë”.

Ndryshimet janë të dukshme, duke filluar me motorin 3.0-litërsh V6 Nettuno të rrjedhur nga MC20, Maserati ka përmirësuar turbo-mbushësit e dyfishtë të kësaj njësie për të marrë fuqinë deri në 740 kuaj fuqi.

Në pjesën e poshtme trupit me fibra karboni të veturës së re, gjendet një numër i madh i komponentëve të përbashkëta me MC20. Maserati ka reduktuar ndjeshëm peshën, ku ata synojnë një peshë prej 1,250 kilogramëve tek Project24, duke e bërë atë për 250 kilogram më të lehtë se MC20. Reduktimi i peshës ndihmohet nga panelet me fibra të karbonit, dritaret me polikarbon, dhe një brendësi me më pak detaje.