Martinezit nuk i ka ikur inati nga deklaratat e francezit, dalin pamje kur kërkon një minutë heshtje për Mbappen

Argjentina ka arritur fitoren më të rëndësishme në 36 vitet e fundit, pasi kanë mposhtur Francën në finalen e Kupës së Botës.

Pasi 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan baras 2-2, dy skuadrat shënuan edhe nga një gol në kohën shtesë për tu mbyllur 120 minutat baras 3-3.

E në ekzekutimin e penalltive Argjentina u tregua më e saktë pasi fitoi me rezultat 4-2 për ta fituar për herë të tretë Kupën e Botës.

Ka pasur festë të madhe në zhveshtore të Argjentinës, por portieri Emiliano Martinez ka eskaluar me festën e tij.

Portieri më i mirë i Kampionatit Botëror ‘Katar 2022’ vendosi t’i kundërpërgjigjet Kylian Mbappes i cili kishte dhënë një deklaratë para finales, duke nënçmuar futbollin e Amerikës Latine.

“Përparësia që kemi në Evropë është se luajmë mes vete me ndeshje të nivelit të lartë gjatë gjithë kohës, siç është Liga e Kombeve”.

“Kur të arrijmë në Botëror jemi gati, ndërsa Brazili dhe Argjentina nuk e kanë këtë nivel në Amerikën e Jugut. Futbolli nuk është aq i avancuar sa në Evropë. Kjo është arsyeja pse në Kupat e Botës së fundit, janë gjithmonë evropianët ata që fitojnë”, kishte deklaruar Mbappe.

Kjo nuk i ka pëlqyer aspak Emiliano Martinezit i cili e kritikoi Mbappen edhe në konferencën për shtyp.

“Ai nuk di mjaftueshëm për futbollin. Ai kurrë nuk ka luajtur në Amerikën e Jugut. Kur nuk e keni këtë përvojë, mund të jetë më mirë të mos flisni për të. Por nuk ka rëndësi. Ne jemi një ekip i madh, i njohur si i tillë”, kishte thënë Martinez në konferencën për shtyp.

Por pas triumfit në finale, portieri i Aston Villës ka shkuar edhe më tej gjatë festës, pasi inati me fjalët e Mbappes nuk i kishte ikur.

“Një minutë heshtje për Mbappen”, ka thënë Martinez, derisa në atë moment Nicolas Otamendi ishte ‘live’ në Instagram.

Kaq ka mjaftuar derisa video është shpërndarë me shpejtësinë e dritës dhe Emiliano Martinez ka marrë shumë kritika për këtë thirrje.