Euro 2024

Martinez pas fitores ndaj Turqisë, vlerëson lart Pepen dhe Ronaldon: Shembuj që duhet ndjekur

Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez, është shprehur tejet i kënaqur me performancën e ekipit të tij në fitoren 3:0 kundër Turqisë.

“Luajtëm në të njëjtin nivel si kundër Çekisë, por kësaj radhe shënuam të parët. Turqia e nisi mirë, por ne qëndruam fort dhe sapo shënuam e morëm kontrollin e lojës”, tha Martinez.

Një nga pikat kyçe të ndeshjes ishte paraqitja mbresëlënëse e veteranit Pepe.

Martinez nuk kurseu fjalët e mira për të: “Një tifoz neutral që e shikon Peppen duke luajtur, nuk do ta besonte që është 41 vjeç! Ai është një shembull i shkëlqyer i futbollit portugez. Ai është një profesionist për 24 orë në ditë – stërvitet, fle mirë. Fokusi i tij është të luajë edhe për një vit tjetër, pastaj edhe një tjetër. Pastaj është dashuria për lojën dhe gjenetika – nuk mund t’i blesh ato!”. Por nuk ishte vetëm Pepe që tërhoqi vëmendjen. Cristiano Ronaldo, i cili gjithmonë e ka dëshmuar veten si një lojtar i jashtëzakonshëm, tregoi një anë të tij që frymëzon të gjithë ekipin. “Mendoj se pamë diçka shumë të veçantë sot. Një sulmues i madh del një kundër një me portierin dhe kërkon të japë asist. Çfarë shembulli i shkëlqyer! Ky veprim duhet të tregohet në akademitë e futbollit anembanë Portugalisë, një vetëmohim i Ronaldos dhe një dëshmi që ai gjithmonë është aty për skuadrën”, tha Martinez.