Martin Berishaj, i dyshuar për lidhjet korruptive me GEN-I serb, nuk e deklaron pasurinë

Agjencia Kundër Korrupsionit ka deklaruar pasurinë e zyrtarëve publikë për vitin që lamë pas. Në këtë listë, ndodhen edhe tre krerët e shtetit, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe presidentja Vjosa Osmani.

Toka, shtëpi, banesa, para të gatshme – të gjitha i kanë deklaruar krerët e shtetit në regjistrin e pasurisë të zyrtarëve publik që publikohet për vitin paraprak, pra për vitin 2022.

Mirëpo, në këtë publikim mungon emri dhe pasuria e një zyrtari të rëndësishëm të Kurtit. Ambasadori kosovar në Zagreb, Martin Berishaj nuk e ka deklaruar fare pasurinë në APK. Berishaj, i cili është përfolur shumë që nga viti i kaluar për aferat korruptive në Slloveni, Kroaci, Mal të Zi dhe Kosovë, nuk është në mesin e ambasadorëve që janë të obliguar ligjërisht të tregojnë sa janë të pasur, shkruan Demokracia.com.

Berishaj, i cili deri më tash ka refuzuar të dorëhiqet deri në përfundim të hetimeve rreth pretendimeve se është i lidhur me kompaninë serbe të energjisë, GEN-I, vazhdon të mbrohet fuqishëm nga krerët e shtetit të Kosovës dhe partia e tij – Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkohë, nga të dhënat, vërehet, se më e pasura nga të tre drejtuesit e Kosovës, është presidentja Vjosa Osmani.

Presidentja Osmani ka treguar ajo dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu kanë pasuri të paluajtshme prej 970 mijë e 760 euro.

Këtë vit, ata kanë blerë një “banim në vargë” i cili kap shifrën prej 520 mijë euro dhe është regjistruar në emër të Zotëriut të Parë, Prindon Sadriu.

“Tek pronat e paluajtshme, prona në Marigona Hill dhe toka në Lagja e Gjelbër nuk janë ende në pronësi të deklaruesit e as të bashkëshortit sepse ende nuk janë paguar e as ndërtuar në tërësi,” – ka thënë presidentja e vendit.

Siç është deklaruar në APK, ky banim në varg është blerë nga shitja e një shtëpie në Australi që isthe në pronësi të z. Sadriu, shitja e shtëpisë së prindërve, kursime dhe nga hua familjare.

Ajo ka treguar edhe për një banim tjetër në varg, në lagjen Marigona, dhe e cila i vlen 170 mijë euro.

Te Pasuria e luajtshme është deklaruar vetëm një veturë Mercedes Benz e blerë në vitin 2022 dhe që ka vlerë 12 mijë euro.

Presidentja Osmani i ka edhe rreth 300 euro para të gatshme.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka treguar edhe një herë se jeton me qira, dhe se të njëjtën e paguan rreth 250 euro. Ai ishte kritikuar shumë për vendbanimin e tij, pasi që lagja ku jeton, zakonisht ofron shtëpi me çmim më të lartë.

Kurti ka deklaruar mjete financiare të gatshme në banka në vlerë prej 119 euro, ndërsa gruaja e tij 10 mijë euro në bankën DNB në Norvegji.

Kryeministri Kurti ka në zotërim një apartament në sipërfaqe prej 67 metra katrorë që ka një vlerë prej 400 mijë eurove në emër të bashkëshortës.

Për sa i përket pagave, kryeministri Kurti merr pagë vjetore në vlerë prej 16 mijë e 647 euro. Bashkëshortja e tij merr pagë mujore në vlerë prej 46 mijë e 989 euro.

Kryeparlamentari Konjufca ka deklaruar një banesë, një depi dhe një parking – si pasuri të paluajtshme.

Të gjitha këto, së bashku kapin vlerën e 67 mijë e 293 euro dhe sipas deklarimit janë blerë me kredi dhe kursime.

Ndërkohë në deklaratë duket edhe pasuria e deklaruar në emër të prindërve të Konjufcës, ku figurojnë dy banesa, një shtëpi dhe tri toka.

Konjufca në deklarim ka treguar një detyrim financiar në një bankë prej 36 mijë e 595 euro nga një kredi e marrë në vitin 2019 në vlerë prej 61 mijë e 424 euro.

Si vlerë e parave të gatshme që posedon, Konjufca ka deklaruar 6 mijë e 6 euro.

Nga të hyrat vjetore përmes pagës, Konjufca përfiton rreth 34 mijë euro, ndërsa nga meditjet për udhëtime jashtë vendit ka të deklaruara 652 euro.