Marrja e patentë shoferit me pagesë, një nga arsyet e aksidenteve

Jo më larg se një javë kanë mbetur të vdekur dy persona dhe gjashtë të tjerë kanë marrë lëndime në një aksident komunikacioni, i cili ka ndodhur në Gjakovë.

Ndërkohë që vetëm tre muajt e parë të këtij viti në aksidente komunikacioni kanë gjetur vdekjen 24 persona.

Vdekjet në komunikacion kanë shënuar rritje tre muajt e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa aksidentet me lëndime kanë shënuar rënie.Njohës të sigurisë rrugore thonë se një nga arsyet për numrin e madh të aksidenteve është edhe aftësimi në mënyrë joadekuate i shoferëve të rinj, duke potencuar se në Kosovë mund të marrësh patentë shoferin duke paguar, ani pse nuk i përmbushë kriteret e nevojshme për t’u pajisur me atë.

Ditë më parë për numrin e madh të aksidenteve kishte reaguar edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke thënë se duhet të analizohen pse po ndodhin.

Madje ai kishte thënë se ka dyshime se edhe në marrjen e patentë shoferëve ka dobësi.Ai ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të analizojë shkaqet që kanë quar në ngritjen e numrit të aksidenteve tragjike në rrugët e Kosovës dhe të rekomandoi masa për parandalimin e këtyre aksidenteve.

Visar Baxhuku nga Kolegji “Tempulli”, i cili thotë se nuk ka ndonjë fshehtësi se në Kosovë patentë shoferi mund të merret edhe përmes pagesës, por që sipas tij, organet kompetente po heshtin.

Sipas tij, marrja e patentë shoferit në këtë mënyrë po bënë që edukimi i shoferëve të rinj të ketë dobësi dhe pastaj po ndodhin aksidentet në komunikacion.Nga Policia e Kosovës thonë se shkaktarët më të shpeshtë të dyshuar për aksidente janë manipulimi i pasigurt me automjet, mosmbajtja e distancës e mospërshtatja e shpejtësisë.

Jeton Rexhepi, ushtrues detyre i drejtorit të divizionit të komunikacionit rrugor, ka thënë se bazuar në të dhënat që i kanë për periudhën janar-mars të këtij viti, por edhe në krahasim me vitin e kaluar ka një rritje të numrit të aksidenteve që përfundojnë me fatalitet.

Rexhepi shtoi se si Polici e Kosovës në vazhdimësi ndërmarrin plane dhe operacione për të ndikuar në vetëdijesimin e shoferëve për respektim të rregullave të komunikacionit, në mënyrë që të zvogëlohet numri i aksidenteve.