Marrëveshjet në Berlin, çfarë formule diplomatike e bindi Kosovën të pajtohet për to?

Blerim Vela, këshilltar i Presidentes Vjosa Osmani ka reaguar për marrëveshjet që kanë arritur sot 6 ministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock ka njoftuar se Ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor kanë rënë dakord në Berlin për lëvizjen e lirë me karta identiteti mes shtetasve të rajonit, njohjen e diplomave universitare, dhe njohjen e kualifikimeve profesionale.

Për marrëveshjen që pritet të formalizohet më 3 nëntor nga shefat e shteteve, nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar në Kosovë.

I pari që ka shkruar është këshilltari i Presidentes Osmani, Blerim Vela.

“Procesi i Berlinit arrin një gur kilometrik drejt krijimit te Tregut të përbashkët rajonal. Bashkëpunim rajonal si të barabartë. Tri marrëveshje të arritura nga të gjitha shtetet e rajonit. Duke i kontribuuar synimeve të integrimit në BE të vendeve të rajonit”, ka shkruar Vela.

Marrëveshjet e arritura janë tre nga katër marrëveshjet, për të cilat liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kishin rënë dakord qysh në samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020, asokohe nën ish-kancelaren Merkel.

Por ato mbetën të paimplementuara për shkak të mungesës së vullnetit politik të Kosovës dhe Serbisë. Kosova ngulte këmbë që ajo të merrte pjesë në këto marrëveshje si Republikë e Kosovës, gjë që nuk e pranonte Serbia.

Kompromisi i arritur, duket se i ka tejkaluar këto mosmarrëveshje. Qarqe diplomatike i dhanë DW-së se “është zgjedhur një gjuhë diplomatike të atillë, me të cilën mund të jetojë si Kosova, ashtu edhe Serbia”.

Ndër të tjera, marrëveshja nënkupton edhe heqjen e vizave ndërmjet Kosovës e Bosnjës dhe qarkullimit me letërnjoftime mes dy vendeve. Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.