Marrëveshja Serbi-Rusi, Hoxhaj: Për vite me radhë paralajmërova miqtë evropianë

Nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj i ka reaguar ashpër Bashkimit Evropian pas marrëveshjes së bërë nga Moska dhe Beogradi për një dokument të quajtur “plani për konsultime” për politikë të jashtme.

Hoxhaj, ish-ministri u jashtëm, përmes një reagimi në rrjeton social Twitter ka thënë se për vite me radhë i ka paralajmëruar miqtë e tij në Evropë për rreziqet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë.

“Për vite me radhë i kam paralajmëruar miqtë e mi në Evropë për rreziqet ndaj Ballkanit Perëndimor dhe BE-së nga rreshtimi i Serbisë me Rusinë, në vend të BE-së. Toleranca e BE-së tani ka kostot e saj. Serbia po mban anën me Rusinë për të luftuar Ukrainën dhe Kosovën duke nënshkruar protokolle me Kremlinin në mes të luftës. Koha për të vepruar!”, ka shkruar Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov dhe homologu i tij serb Nikola Selakoviq nënshkruan të premten një dokument të quajtur “plani për konsultime”.