Biseda e kreut të VMRO DPMNE-së dhe kryeministrit bullgar sërish përplas dy partitë më të mëdha në vend. LSDM pretendon se asnjë arsyetim nuk e mbulon dyfytyrësinë e Mickoskit, i cili në takim me Borisovin e pranoi “pa dilema” Marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Nga ana tjetër, VMRO DPMNE-ja akuzon LSDM-në se dështimet në qeverisjen e deritanishme po i mbulon me lajme të rrejshme e duke i mveshur Mickoskit fjalë që aspak nuk i ka thënë.
Njëherë nuk e pranojnë emrin kushtetues pastaj shkojnë në ngjarje ku partia e tyre figuron nën emrin kushtetues të vendit tonë, Maqedonia e Veriut. Ndryshe flet sa i përket Marrëveshjes me Bullgarinë para opinionit ndërkombëtar, ndryshe flet në shtëpi”-pohoi Lupço Nikollovski, LSDM.
Për popullin maqedonas, për qytetarët e Maqedonisë, për VMRO DPMNE-në asnjëherë nuk do të jetë i pranueshëm mohimi i autenticitetit të gjuhës maqedonase dhe heqja dorë nga personaliteti dhe veprimtaria e Goce Dellçevit”-theksoi Naum Stoilkovski, VMRO DPMNE.
Anëtari i Komitetit ekzekutiv të VMRO DPMNE-së, Dimitar Dimovski përmes një statusi në Facebook e quan Bullgarinë okupatore fashiste dhe e fton t’i kërkojë falje popullit maqedonas për dëmet e shkaktuara në të kaluarën. Derisa Borisov theksoi se vetëm nëse hiqet dorë nga retorika anti-bullgare, Sofja mund t’i ofrojë Shkupit ndihmë për të ecur përpara drejtë BE-së.
Retorika anti-bullgare që e përdorin jo vetëm që duhet të jetë e ndaluar, por duhet të jenë të bindur se nuk është e vërtetë. Nuk iu thash rastësisht se kur dikush prej tyre thotë se Bullgaria është okupator fashist, kjo në Bullgari nënkupton se nuk duhet t’iu ndihmojmë në asnjë mënyrë. Nuk kemi qenë okupator të askujt”-tha Bojko Borisov, Kryeministër i Bullgarisë.
Ish ambasadori, Risto Nikovski vlerëson se debati është imponuar nga ana e Bullgarisë, e cila po udhëheq një luftë të ftohtë kundrejt Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të fitojë aq sa mundet sa i përket mosmarrëveshjeve rreth historisë para se Shkupi të bëhet pjesë e BE-së.
Kjo politikë bullgare është dëshpëruese, sepse janë të vetëdijshëm sepse nëse tani nuk i valorizojnë sindromet e tyre historike, shekullore se ne nuk ekzistojmë si popull, gjuhë, histori dhe ngjashëm kjo do të jetë e kryer. Goce Dellçev është simboli i asaj politike bullgare që është absolutisht jashtë logjike dhe nëse ata pranojnë, çka do të duhet ta bëjnë një ditë, se ai është maqedonas gjithsesi, të gjitha pretendimet e tyre shekullore do të bien në ujë”-tha Risto Nikovski, ish ambasador.
Sipas Nikovskit, kërcënimet e Borisovit se nuk do ta ndihmojë vendin nëse e njëjta nuk heq dorë nga retorika anti-bullgare është boshe, për shkak se sipas tij, Bullgaria nuk është aq e fuqishme sa të mund t’i vendos veton e radhës hapjes së negociatave anëtarësuese.







