Marrëveshja Kurti- Vuçiq | Zbardhet agjenda e takimit të nesërm në Ohër, BE zbulon se cila është tema kryesore

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, nesër në Ohër do të mbajë një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ku pretendohet të arrihet marrëveshja ndërmjet dy vendeve.

Pjesëmarrja është konfirmuar nga kryeministri i Kosovës,  Albin Kurti dhe  presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar EEAS.

Dialogu do të fillojë në orën 10 me ardhjen e pjesëmarrësve.

Përfaqësuesi i Lartë, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojë takime të ndara dypalëshe me liderët njëri pas tjetrit, të cilat do të pasohen nga një takim i përbashkët trepalësh – thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit për zbatimin e Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.