Ministri i Jashtëm

Marrëveshja e detit, Bushati: Negociatat me Greqinë vazhdojnë

Në Shqipëri, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha sot se bisedimet me Greqinë për çështjen e kufirit detar janë ende në vazhdim dhe se dosja e plotë do t’i dorëzohet kreut të Shtetit sapo ekspertët të kenë përfunduar punën teknike.

“Negociatat nuk kanë përfunduar. Nëse do të përmend një shprehje popullore ne nuk mund të bëjmë dasëm, kur nuk kemi çiftin. Pra në rastin në fjalë negociatat nuk kanë përfunduar, dhe deri në momentin që negociatat do të përfundojnë, ne e konsiderojmë veten pjesë të një ekpi, përfshirë Presidentin e Republikës”, u shpreh zoti Bushati

Deklarata e zoti Bushati erdhi në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve lidhur me komentet e djeshme në Zërin e Amerikës, të presidentit Ilir Meta për çështjen e marrëveshjes me Greqinë. Ai tha se kishte patur disa mosmarrëveshje me ministrin e Jashtëm, ndërsa deklaroi se i ka bërë të qartë kryeministrit “se është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale”.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese është e bllokuar sepse vetëm 3 nga 9 anëtarët e saj u rikonfirmuan në detyrë pas përfundimit të procesit të rivlerësimit. Për momentin askush nuk mund të thhet se kur do të mund të plotësohen vendet e mbetura bosh, përsa kohë dhe Këshilli i emërimeve në Drejtësi, i cili do të duhet të bëjë përzgjedhjen paraprake të kandidatëve nuk është i plotësuar me anëtarët e vet.