“Marca” e “AS” shkruajnë për përzgjedhësin e Kosovës

Mediumet e njohura spanjolle “AS” dhe “Marca” kanë shkruar për përzgjedhësin e përkohshëm të Kosovës në hendboll, Javier Cabanas.

Cabanas është edhe trajner i skuadrës Besa Famgas. Me pejanët ai e fitoi ligën dhe Kupën e Kosovës. “Kosova merr si selektor spanjollin Cabanas, ani pse Spanja nuk e njeh atë vend”, ka qenë titulli i gazetës “AS”.

Ndërkohë, “Marca” si titull kryesor e kishte “Spanjolli Javier Cabanas, trajner i përkohshëm i Kosovës”. Sidoqoftë, trajneri Cabanas nuk ka dashur ta përziejë politikën me sport.

“Jam një njeri sportiv. Më pëlqen atë që bëj në çdo situatë dhe vend në botë. Më pëlqen t’i ndajë të dy aspektet. Ishte një mundësi sportive dhe e pranoj si të tillë. Politika nuk ka asnjë lidhje me hendbollin”, ka thënë trajneri Cabanas për “Marca”. Ai është paraqitur si legjendë e hendbollit spanjoll nga Marca e famshme dhe me shumë ndikim.

FHK-ja të mërkurën njoftoi se trajneri Javier Cabanas do ta drejtojë ekipin e Kosovës në dy ndeshjet e para kualifikuese të raundit të dytë për Evropianin 2022, kundër Malit të Zi në Podgoricë më 4 nëntor, dhe Suedisë, më 8 nëntor në Prishtinë.

Cabanas do të jetë në krye të Kosovës në hendboll në vend të selektorit Taip Ramadani, i cili nuk mund të udhëtojë në Kosovë nga Australia, për shkak të pandemisë.