Maqedonia

Maqedonia zyrtarisht i fillon bisedimet parainkuadruese për anëtarësim në NATO

Me vizitën e anëtarëve të Komitetit për integrim në NATO dhe të Komitetit punues për integrim në selinë e Aleancës në Bruksel, sot dhe nesër fillojnë bisedimet parainkuadruese për anëtarësim të Maqedonisë në aleancën më të madhe ushtarako-politike në botë.

Maqedonia në Samitin e NATO-s në Bruksel në korrik edhe zyrtarisht e mori ftesën për anëtarësim, por hyrja është kushtëzuar me implementimin e Marrëveshjes së Prespës.

Me këtë sesion bisedimesh në Bruksel, Maqedonia de fakto e hapë fazën e fundit në marrëdhëniet me NATO-n para anëtarësimit në Aleancë.

Komiteti për integrim i NATO-s është në nivel ministror, përderisa Komiteti punues për integrim, në krye të të cilit është koordinuesi nacional për NATO, Stevo Pendarovski vepron në nivel operativ.

Delegacioni i Maqedonisë do të takohet me ekspertë të NATO-s, ekipi i të cilëve do të kryesohet nga ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për punë politike dhe politikë të sigurisë, Aleksandro Alvargonzales. Të nominohet një përfaqësues i lartë i NATO-s t’i kryesojë bisedimet inkuadruese është praktikë që gjithashtu u zbatua gjatë zgjerimit të fundit të NATO-s me Malin e Zi. Alvargonzales tashmë e vizitoi Shkupin në mars të këtij viti, ku realizoi takime me përfaqësues të lartë të vendit.

Pala e Maqedonisë përgatiti projekt-program, i cili do të prezantohet në Bruksel. Fokusi primar në të është kahëzuar drejt sundimit të së drejtës, reformave gjyqësore, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformave në sektorin mbrojtës, por edhe në shërbimet e sigurisë, si dhe çështjet juridike të cilat dalin nga anëtarësimi i Maqedonisë në NATO.

Bisedimet do të zhvillohen në dy sesione, i pari do t’i përfshijë çështjet politike dhe mbrojtëse për përmbushjen e kritereve, ndërsa i dyti çështjet lidhur me resurset, sigurinë, aspektet juridike, si dhe kontributin e Maqedonisë në buxhetin e përbashkët të Aleancës. Në këtë fazë të negociatve parimisht do të konfirmohet korniza kohore për kompletimin e tyre.

“E tërë kjo duhet të shkojë përmes implementimit të Marrëveshjes së Prespës, siç në të vërtetë edhe na dikton vullneti dominant politik i shumicë[s së qytetarëve të Maqedonisë. Sipas të gjitha analizave të bëra nga institucione relevante dhe individë, anëtarësimi ynë në NATO dukshëm do ta shtojë sigurinë dhe stabilitetin e vendit, por në të njejtën kohë do të jetë edhe shembull pozitiv dhe kontribut drejt sigurisë rajonale, stabilitetit dhe prosperitetit”, tha Pendarovski në konferencën për shtyp të amrtën, ku së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerindka dhe shefin e Diplomacisë, Nikolla Dimitrov e paralajmëruan fillimin e bisedimeve.

Procesi, siç theksoi Pendarovski, do të duhej të përfundojë deri nga fundi i dhjetorit të këtij viti, në janar të vitit 2019 është paraparë që Maqedonia ta nënshkruajë protokollin për inkuadrim me të drejtë të pjesëmarrjes në të gjitha trupat dhe organet e NATO-s, por pa mundësi që të votojë, ndërsa pranimi në anëtarësim të plotëfuqishëm do të ndodhë pasi vendet anëtare ta ratifikojnë këtë protokoll për qasje, secili individualisht në parlamentet e tyre kombëtare. Në rastin me Maqedoninë është paraparë që Greqia të jetë vendi i parë anëtar që do ta ratifikojë këtë protokoll, pasi vendi ta përfundojë pjesën e vet të obligimeve nga Marrëveshja e Prespës.

Malit të Zi iu nevojitën 18 muaj nga ftesa për t’i filluar bisedimet inkuadruese deri në hyrjen në NATO si anëtare. Vendi i përfundoi bisedimet inkuadruese për pothuajse gjashtë muaj, ndërkaq të gjithë aleatëve të NATO-s iu deshën edhe 12 muaj për t’i ratifikuar Protokollet për inkaudrim të Marrëveshjes veriatlantike.

“Me fitimin e anëtarësimit të plotëfuqishëm do të realizohet qëllimi i ynë strategjik, ndërsa anëtarësimi në NATO do të jetë garancë e fuqishme për stabilitetin, sigurinë, mosndryshimin e kufijve dhe ruajtjen e integritetit territorial. Anëtarësimi në NATO është parakusht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, stimulimin e investimeve, vende më mirë të paguara të punës dhe prosperitet”, tha ministrja Shekerinska.

Fillimi i bisedimeve parainkuadruese u përputh me debatin në Kuvend për ndryshimet kushtetuese, ndërsa Shekerinska theksoi se tani është momenti të gjithë deputetët të dëshmojnë se janë të gatshëm që fjalët dhe premtimet që paraprakisht i kanë dhënë lidhur me atë se anëtarësimi në NATO është qëllim strategjik, t’i shndërrojnë në vepra.

“Të gjitha partitë politike janë të ballafaquara para mundësisë historike, Me shtypjen e butonit për, do të marrin pjesë në hapat përfundimtare nga maratona 27 vjeçare për anëtarësim të atdheut tonë në NATO. Suksesi i Maqedonisë varet nga vendimi i tyre”, tha ministrja Shekerinska.

Ajo shtoi se është e qartë se vendimi që do ta sjellë Kuvendi është vendim i cili de fakto do të vendosë nëse Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s në një të ardhme shumë të afërt.Nëse kjo nuk ndodhë, shtoi ministrja e Mbrojtjes, dhe në opozitë mbisundojnë interesat partiake, e jo ato shtetërore, atëherë pritet Kuvendi në afat sa më të shpejtë të shpallë zgjedhje të parakohshme në të cilat, siç tha, “do ta sigurojmë shumicën prej dy të tretave”.

“Edhe në të dyja variantet Maqedonia dhe synimet e saja strategjike duhet të fitojnë dhe nuk kemi asnjë dilemë se kjo do të ndodh”, theksoi Shekerinska.

Ministri Dimitrov duke e cekur rëndësinë e hyrjes së Maqedonisë në NATO lidhur me garancinë e sigurisë së shtetit, por edhe mundësinë për prosperitetin e saj të mëtutjeshëm theksoi se me Marrëveshjen me Greqinë e cila ishte një parakusht për zhbllokimin e procesit që vendi të marrë ftesë në të vërtetë afirmohet identiteti i Maqedonisë.

“Ne e morëm përgjegjësinë, tani procesi është në Kuvendin e RM-së, investimi është i madh, në njërën anë e kemi anëtarësimin në NATO, organizata më e fuqishme mbrojtëse në botë, njëkohësisht ky është edhe klub ekonomik pasi anëtarësimi sjell shumë përfitime ekonomike për ne, ky është mesazh se Maqedoni të qëndrojë këtu në këto kufij”, theksoi Dimitrov.

Ai theksoi se pasiguria nëse procesi nuk arrin është edhe nëse do të ketë qeveri të re greke që do të dojë ta hapë këtë proces dhe në çfarë pozita do të jetë ajo qeveri.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg disa herë gjatë periudhës së kaluar iu drejtua vendit me porosinë se nuk ka plan B dhe se implementimi i Marrëveshjes së Prespës është parakusht për hyrjen e vendit në NATO.

Ai në fillim të muajit, gjatë vizitës në Serbi, porositi se vendi tani ka mundësinë që ndodhë një herë në jetë dhe se mund të bëhet anëtare e NATO-s vetëm nëse e pranon Marrëveshjen me Greqinë.

“Fuqishëm besoj se ajo që vendi duhet ta bëjë tnai është të sjellë vendime për hapa të mëtutjeshëm. Është punë e Qeverisë dhe e Kuvendit t’i sjellin ato vendime. TË vendosin si do të shkojnë përpara, si të reagojnë ndaj referendumit dhe ndaj të gjitha implikimeve dhe pasojave politike që i sjelli ai”, deklaroi Stoltenberg gjatë vizitës në Serbi.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s theksoi se nëse institucionet demokratike në Shkup vendosin ta zbatojnë në tërësi marrëveshjen me Greqinë, atëherë NATO është e gatshme ta pranojë shpejtë Maqedoninë si anëtaren e saj të 30-të.

Parlamenti i Maqedonisë në vitin 1993 miratoi rezolutë për anëtarësim, në vitin 1995 Maqedonia iu bashkangjit Programit Partneritet për paqe, Zyra e NATO-s u hap në vitin 1997, kandidate u bëmë në vitin 1999 – rruga ishte e gjatë. Maqedonia investoi shumë mund në atë rrugë. Maqedonia është vend me më së shumti MPA (Member Action Plan), rekord 17 dhe i 18-ti është rrugës.

Me vendimin nga Samiti i NATO-s në Bukuresht, NATO-ja që në vitin 2008 konstatoi se vendi teknikisht është i gatshëm të hyjë në NATO, por hyrja atëherë u pengua për shkak të vetos greke për shkak të kontestit të papërfunduar për emrin.