Maqedonia e Veriut mund t’i bllokojë përsëri kufijtë me vendet e rajonit si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus.
Këtë e ka paralajmëruar Ministri i Shëndetësisë i këtij vendi, Venko Filipçe, i cili tha se duhet të jenë të vetëdijshëm se nëse nuk iu përmbahen masave dhe ka rritje të numrit të rasteve me Covid-19, sërish do të vendosen masat restriktive.
“Gjatë 10 ditëve të fundit kriza me koronavirusin ka eskaluar gjithandej në Ballkan, në vendet fqinjë. Sipas të dhënave zyrtare, në Serbi 7 ditëve të fundit janë regjistruar mbi 300 raste në ditë, në Bullgari mbi 150, në Bosnje mbi 170, në Kroaci mbi 86, Mal të Zi 58, Shqipëri rreth 70 dhe në Kosovë mbi 100 raste”, ka thënë ai.
Sipas tij, vala e re po ndodhë në të gjitha vendet e rajonit, kjo vjen si rezultat i mos zbatimit të masave dhe rekomandimeve të Qeverisë.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve me COVID-19 në këtë vend ka arritur në 7124, prej të cilëve 3199 janë shëruar, ndërsa 346 kanë ndërruar jetë. Tani raste aktive janë 3579.







