VMRO-DPMNE & BDI

Maqedoni, qëndrime të ndryshme për zgjedhjet parlamentare

Në Maqedoni, partia opozitare VMRO-DPMNE ishte e para e cila kërkoi që të mbahen zgjedhjet të parakohshme parlamentare bashkë me ato presidencialet.

Kryeministri Zoran Zaev, deklaroi se qëndrimi i tij personal është se zgjedhje nuk duhet të ketë.

“Mendimi im personal, unë e them prej fillimit të mandatit, dhe ai është se Maqedonia duhet të mbajë një mandat të plotë sepse njerëzit janë të lodhur nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Ata kanë ndikim mbi ekonominë, mbi reformat, mbi rrjedhën normale të përditshmërisë. Por gjithsesi unë jam vetëm një person, jam demokrat. Nuk ka dallime vetëm mes partnerëve por ka dallime edhe brenda partisë time, siç e shihni, tek një pjesë e gazetarëve dhe një pjesë e ministrave”- tha Zaev, për Alsat M.

BDI-ja, nga ana tjetër, ka deklaruar se vendi për momentin ka për obligim realizimin e interesave më të mëdha strategjike.

“Interes shtetëror në këtë situatë nuk është organizimi i zgjedhjeve parlamentare por nëse të tjerët kërkojnë zgjedhje, BDI-ja është e gatshme t’i përgjigjet çdo përballje”- theksoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së

Sipas Alsat M qëndrim të përafërt ka edhe partia tjetër në koalicionin qeveritar, Besa e Afrim Gashit.

“Në organet e partisë akoma nuk është diskutuar për çështjen e zgjedhjeve të parakohshme por jemi thellësisht të interesuar që të vazhdojë procesi i zbatimit të Marrëveshjes së Prespës dhe reformave të tjera për anëtarësim në NATO dhe BE. Gjithsesi se ka argumente “pro” të dy opsioneve por të dy duhet të realizohen në kuadër të procesit në të cilin ndodhemi aktualisht dhe kjo kërkon qasje me seriozitet maksimal”- tha Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa.