Ministri i Mbrojtjes

Maqedonci në Pragë, kërkon përkrahje politike për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në takimin e zgjeruar ministerial të Ministrave të Mbrojtjes të iniciativës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qendrore, vendeve të Grupit të Vishegradit, si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Maqedonci, nga aty kërkoi përkrahje politike për synimin e Kosovës që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Sipas Maqedoncit, kjo rrugë do të mundësonte ngritjen e sigurisë dhe ruajtjen e paqes në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.

“Në Pragë të Republikës Çeke po zhvillohet takimi i zgjeruar ministerial i Ministrave të Mbrojtjes të iniciativës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes së Evropës Qëndrore, vendeve të Grupit të Vishegradit, si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor me qëllim zhvillimin e diskutimeve mbi sfidat aktuale të sigurisë që vijnë si pasojë e ndikimit të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës si dhe zhvillimeve aktuale në Lindjen e Mesme”, shkroi Maqedonci.

“Gjatë adresimit tim si përfaqësues i Kosovës, nënvizova rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës në luftën e saj të drejtë për ruajtjen e sovranitetit dhe mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa njëkohësisht i informova të pranishmit për kontributin e Kosovës në mbështetje të Ukrainës, konform kapaciteteve dhe resurseve të vendit tonë”.

“Ndër të tjerash kërkova përkrahjen politike të shteteve pjesëmarrse në synimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe në NATO, si rrugë që do të mundësonte ngritjen e sigurisë në Ballkanin Perëndimor me Kosovën, shtet kontribues në ruajtjen e paqen në rajon dhe më gjerë”, shkroi ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci./KlanKosova