Mandzukic refuzon një ofertë marramendëse nga Kina

Mario Mandzukic nuk tundohet nga paratë. Sulmuesi kroat njeriu simbol i Juventusit të këtij sezoni(ka rezultuar vendimtar me golat e tij në shumë ndeshje të rëndësishme), ka refuzuar një ofertë të pasur nga Kina e largët pasi dëshiron të qëndrojë te bardhezinjtë për të fituar Champions League me klubin torinez.

Shanghai SIPG, klubi kinez kampion në fuqi që gjatë vitit të kaluar theu hegjemoninë e Guangzhou Evergrande po kërkon një sulmues të madh dhe pas refuzimeve që ka marrë nga Diego Costa dhe Edin Dzeko ka shënjestruar pikërisht kroatin nënkampion bote në Rusi 2018, Mario Mandzukic.

Drejtuesit e klubit kinez i kanë ofruar bomberit të Juventusit një kontratë 3-vjeçare nga e cila Mandzukic do të përfitonte 15 deri në 16 milionë euro në sezon por 32-vjeçari e ka refuzuar pasi nuk heq dorë nga ëndrra për të triumfuar në Champions League me fanellën bardhezi.