Manchester Unitedi interesohet për Hysajn

Mediumi i madh italian, Sky Sports Italia, raporton se Manchester Unitedi i ka kontaktuar drejtuesit e Napolit për ta shprehur interesimin për ta transferuar Elseid Hysajn gjatë afatit kalimtar të verës.

“Djajtë e Kuq” janë të interesuar ta përforcojnë pozitën e mbrojtësit të krahut të djathtë gjatë kësaj vere, mirëpo ata nuk janë i vetmi klub që ka shprehur interesim ta transferojë shqiptarin.

Hysaj ka bërë të ditur se nuk do ta vazhdojë karrierën e tij në Napoli dhe kjo deklaratë e mbrojtësit anësor të Kombëtares së Shqipërisë ka ngjallur interesim edhe te Atletico Madridi.

Manchester Unitedi është duke e kërkuar një mbrojtës anësor, i cili mund të luajë në të dy anët e mbrojtjes, si zëvendësues për Ashley Young. Veterani anglez luajti edhe si mbrojtës i krahut të majtë, edhe si mbrojtës i krahut të djathtë gjatë sezonit të kaluar.

Kjo ka bërë që shqiptari 25-vjeçar të jetë nën radarin e drejtuesve të Manchester Unitedit. Ai ka qenë i rregullt në formacionin e parë të Napolit gjatë kohës sa Maurizio Sarri e drejtonte klubin. Ai e ndoqi Sarrin nga Empoli në Napoli në vitin 2015, duke u bërë shqiptari i dytë më i shtrenjtë ndonjëherë.

Edhe pse Sarri u largua verën e kaluar, Hysaj qëndroi nën drejtimin e Carlo Ancelotti dhe tani i ka regjistruar 173 paraqitje për klubin.