LAJMI I FUNDIT

Manastiri i Deçanit refuzon xhirimin e dokumentarit propagandistik të qeverisë serb të titulluar “Çelësit i Deçanit”

Vëllazëria e Manastirit të Deçanit njoftoi se nuk ka bekim nga ipeshkvi i Rashkës-Prizrenit Teodosije për xhirimet e paralajmëruara të filmit dokumentar “Çelësi i Deçanit” me regji të Milutin Petroviq.

Administrata e Manastirit të Deçanit ka deklaruar në Twitter se xhirimi nuk është dakorduar me igumenin e manastirit, arkimandritin Sava Janjiq, transmeton Ballkani.info.

Igumeni, Sava Janjiq

“Njoftojmë opinionin se nuk është e nevojshme të ndërmerren projekte të pakoordinuara për vendet e shenjta në Kosovë dhe të publikohen lajme për to në media, sepse një sjellje e tillë dëmton Kishën tonë. Përmendja e xhirimit të këtij filmi në disa media shqiptare të Kosovës, pa asnjë verifikim nga Manastiri dhe Eparkia e Deçanit, u portretizua me keqdashje si një aktivitet i drejtuar kundër Kosovës. Kisha jonë e percepton këtë si një tjetër në serinë e kërcënimeve dhe shkeljeve të shumta të etikës gazetareske”, kanë thënë ata. Ata thanë se promovimi i trashëgimisë së Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë në kuadër të Eparkisë së Rashkës-Prizrenit është i mundur vetëm me bekimin e peshkopit dioqezan dhe në bashkëpunim me manastiret apo kishat famullitare.

Për përkujtim, Qendra e Filmit e Serbisë së fundi ndau 9,000,000 dinarë (rreth 80 mijë euro) për veprën e re të Milutin Petroviq në Konkursin për bashkëfinancim të projekteve me temë kombëtare.

“Historia e manastirit të Deçanit është në një masë të madhe historia e Serbisë. Lufta për mbijetesën e manastireve është edhe lufta e Serbisë mesjetare dhe moderne. Në mënyrë të mirë, autori e përqendron vëmendjen në dy krizat kryesore të manastirit: atë të shekullit të 18-të si rezultat i shpërnguljes së serbëve dhe atë në kontekstin e luftërave të viteve ’90. Duke planifikuar përdorimin e llojeve të ndryshme të materialit dokumentar, synimi i autorit është ta udhëheqë filmin në atë mënyrë që të paraqesë një pamje të historisë dinamike të Kosovës nga disa këndvështrime, përmes historisë së popullit të Deçanit”, u tha në vendimin e komisionit pas vendimit për mbështetjen financiare të këtij projekti.

Nga bashkëbisedimi me autorin, komisioni, siç deklaruan, mori përshtypjen se gjatë realizimit do të ketë një proces regjisorial që përdor dhe formëson materialin dokumentar në mënyrë origjinale, dinamike dhe interesante.