Manaj i LDK’së: Kurti nga ideja e bashkimit kombëtar, na solli në pikën më të keqe të raporteve me Shqipërinë

Deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, ka thënë se Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti ka arritur më shumë progres se secila Qeveri pasluftë për 100 ditët e para të saj.

“Qeveria jonë nuk është ndërtuar mbi forcën e muskujve mbi idenë e konfrontimin me miqtë tanë. Qeveria Hoti nuk njeh shtëpi tjera orientuese përveç Shtëpisë së Bardhë. Njoha e pavarësisë nga shteti i Izraelit është hap historik për shtetin tonë dhe ideja e ndarjes së Kosovës është evituar tërësisht”, është shprehur Manaj.

“Hoti është kryeministri i parë i vendit tonë që arrin të ftohet në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë dhe të nënshkruajë marrëveshje dhe takimet në Bruksel dhe NATO janë mesazhi më i mirë. Qeveria e Hoti ka shënuar progres të madh në menaxhimin e pandemisë duke u renditur tash si vendi me më pak raste në rajon me COVID-19”.

Manaj ka shprehur kritikën e tij ndaj ish Kryeministrit Albin Kurti.

“Nga ideja e bashkimit kombëtar, ai [Kurti] na solli në pikën më të keqe me Shqipërinë për shkak të protagonizmit politik me Kryeministrin Edi Rama, ndërsa pranonte teste nga Serbia dhe e paraqiste Serbinë si shtet human”.