Përkundër që Bayern Munichu mohoi të ketë bërë ofertë për Leroy Sanen e Manchester Cityt, e përditshmja angleze, The Sun, pretendon se dy klubet i kanë filluar negociatat për transferimin e gjermanit.
Sipas The Sun, Manchester City ia ka kërkuar Bayern Munichut 160 milionë euro për anësorin gjerman, i cili dëshiron të largohet nga skuadra e kampionit anglez gjatë këtij afati kalimtar të verës.
Për Sanen është spekuluar që një kohë të gjatë se do të largohet nga “Etihad”. Madje, edhe trajneri i Bayern Munichut, Niko Kovac, ishte shprehur i bindur se marrëveshja për transferimin e tij do të kompletohet së shpejti. Për këtë deklaratë, Kovaci kërkoi falje më vonë.
Dje u raportua se Bayern Munichu tashmë veçse ia ka bërë një ofertë Manchester Cityt për Sanen, mirëpo ky lajm u mohua menjëherë nga klubi gjerman.
“Në lidhje me raportet e mediave për transferimin e Leroy Sane në Bayern, dëshirojmë të ju njoftojmë se nuk ka asgjë të vërtetë”, deklaroi Bayern në faqen e tyre zyrtare në Twitter.
Nëse, në fund, gjermanët vendosin t’i paguajnë 160 milionë eurot që Manchester City i kërkon për anësorin e tyre, ky do të ishte njëri ndër transferimet më të shtrenjta në histori të futbollit.
Sane duket i vendosur për t’u larguar nga City, ku nuk kishte hapësira gjatë sezonit të fundit dhe Bayerni duket të jetë zgjidhja ideale për të gjitha palët. Sane shihet si zëvendësues i dy veteranëve të larguar nga “Allianz Arena”, Franck Ribery dhe Arjen Robben.







