Albinot Maloku

Maloku thotë se vetëm Kosova po vlerëson se është koha të hiqen masat

Analisti politik, Albinot Maloku ka vlerësuar se masat e BE-së janë vendosur ndaj Kosovës për shkak se kjo qeveri nuk i ka ndjekur mirëfilli rekomandimet që ata kanë dhënë për procese të caktuara.

Sipas Malokut, duke qenë se këto masa janë vendosur si pasojë e hapave të caktuar që ka marr Kosova, qeveria e vendit duhet të tregohet më e urtë në raport me BE-në, në kuptimin e njohjes së fuqisë së saj.

“Qeveria e vendit do të duhej të ishte më e urtë në kuptimin e njohjes së fuqisë së saj, e sidomos të dështimit eklatant të ministrisë së Punëve të Jashtme, ku ka pasur vetëm regres. Konsideroj që çdo kërkesë e qeverisë së Kosovës është politike dhe për konsum të brendshëm. Masat kur janë vendos janë vendosë për arsye specifike, për hapa të caktuar të qeverisë së vendit. Zakonisht Bashkimi Evropian në raport me Kosovën është shumë regjid dhe shumë i shpejt që nuk ndodhë kështu me palën tjetër dhe kjo është fatkeqësi e llojit, por në anën tjetër edhe Qeveria e Kosovës nuk është se ka ndjekur mirëfilli rekomandimet dhe pritjet e BE-së si mekanizëm në raport me të gjitha proceset që kanë ndodhur, por ka tentuar të gjejë rrugë anësore”, u shpreh ai në emisionin “Ditari” në TËVË1.

Ndërsa, analisti ka theksuar se deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje nga BE-ja se çfarë duhet të bëjë Kosova, që këto masa të largohen dhe Kosova mos t’i vuaj më pasojat.

“Vlerësimi i njëanshëm i shtetit të Kosovës është koha që të hiqen ato, konsideroj që është si përgjigje se ata nuk janë kompetent për të vlerësuar momentin, është e drejt e Bashkimit Evropian. Por edhe nuk ka një përgjigje të BE-së se çfarë duhet të bëjë Kosova që këto masa të largohen në mënyrë që Kosova mos t’i vuaj pasojat të cilat i ka pasur deri tash”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e BE-së më 28 qershor 2023 dhe ato hynë në fuqi në fillim të korrikut. Ato u vendosën për shkak të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.

Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.