Analisti Albinot Maloku ka folur pas takimit që kryeministri i vendit, Albin Kurti, e pati sot me ambasadorët e vendeve të Quint-it, ku u bisedua për hapjen e Urës së Ibrit.
Maloku tha se çështja e hapjes së urës për kalim të veturave ka qenë pjesë e bisedimeve të mëhershme mes Kosovës dhe Serbisë, e që sipas tij, nuk janë respektuar afatet.
“Kur kryeministri aktual, bërtiste për rishikim të marrëveshjeve, do të duhej që Qeveria e Kosovës të përqendrohej në rishikimin e asaj marrëveshjeje që ka ndodhur me Serbinë që ndërlidhet me hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve”.
“Aktualisht nuk do të duhej të ishte tema thelbësore, për pasojë të krijohen situata irrituese mes Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar. Shpresoj që Qeveria e Kosovës të mos marrë “yrysh” me mendimin se po bën ndonjë gjë”, tha Maloku në “Info Magazine”.
Tutje, ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të japë maksimumin që raporti me aleatët të mos dëmtohet për situata që sipas tij mund të kenë vetëm prodhim politik për konsum të brendshëm.
Pas takimit të sotëm, qeveria ka thënë se Ura e Ibrit duhet të hapet, pasi sipas tyre, hapja është në dobi të të gjithëve dhe nuk bëhet kundër askujt.
Ndërsa, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shtetet e Quint-it, në koordinim me KFOR-in, aktualisht nuk e përkrahin hapjen e urës.







