Malisheva

​Malisheva probleme të vazhdueshme me rrymë, po dëmtohen qytetarët dhe bizneset

Edhe ky dimër i gjeti qytetarët e Malishevës me probleme të ndërprerjes së energjisë elektrike për orë të tëra. Ata po detyrohen që të përdorin qirinj dhe ndriçues për të bërë zgjidhje. Kjo situatë po u krijon vështirësi edhe bizneseve, derisa po u kushton edhe me bllokim të llogarive bankare. Ata thonë se po detyrohen të kthehen nga puna më herët për shkak se familjarë të tyre të moshuar po frikësohen nga ”terri”.

Nga Komuna e Malishevës thonë se janë ndër të vetmit në nivel vendi që po e pësojnë këtë situatë, derisa potencojnë se periudha e festave të fundvitit kur edhe kanë ardhur mërgimtarët, ka qenë më e rëndë sa i përket problemeve me rrymë.

Ata thonë se kanë marrë një premtim nga Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) se nga data 20 dhjetor të vitit të kaluar do të fillonte rregullimi i linjës, ku një kabllo bashkë me disa pajisje të avancuara që do ta ruanin forcën e energjisë elektrike, por që një gjë e tillë nuk ndodhi.

Ndërkaq, nga KEDS-ipotencojnë se ndërrimi i përçuesit aktual me të riun do të bëhet në pranverë, dhe hyn në kuadër të një zgjidhjeje emergjente për këtë rajon, derisa të realizohet plani i ndërtimit të Nënstacionit nga KOSTT-i.

Qytetari nga Malisheva, pronar i një biznesi, Hashim Hoxha për KosovaPress, u shpreh se për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike, nuk ka mundur ta nxjerr Z- raportin, për çka ATK-ja, i ka bllokuar llogarinë bankare.

Hoxha shtoi se i duhet të dalë më herët nga puna për të shkuar tek nëna e tij 87 vjeçare, ngase ajo frikësohet kur nuk ka rrymë.

Ai kërkon zgjidhje nga komuna dhe KEDS-i për këtë situatë me të cilën qytetarët e Malishevës po përballen tash e disa vite.

“Me rrymë kemi problem për arsye se rryma është gjëja bazike, nëse nuk ke rrymë, nuk ke e ke ujin, pastërtinë, nuk janë shumë gjëra të tjera, komplet amvisëria është e rënë për toke…Problemi kryesor e kemi edhe te ATK-ja, mua ma kërkon Z-raportin, si ta nxjerr, unë Z-raportin prej arkës fiskale, kur arka fiskale duhet të nxjerrët Z-raporti në mbrëmje, mua më del të nesërmen. M’i kanë mbyllur edhe llogaritë bankare, shkaku që nuk kam mundur ta dërgoj Z-raportin. Për 3 euro e 70 cent, llogaritë i kam të bllokuara…Këtu duhet ta marrë parasysh KEDS-i, lë ta marrë kryetari i komunës që i ka kërkuar votat, kur ta kërkosh votën vazhdo deri në fund…07:54 Shumë herë po më ndodhë me lënë punën në ora pesë, për të shkuar se po më mbetet nëna në errësirë, e kam nënë 87 vjeç në shtëpi, po duhet të shkojë të qëndroj me nënën, se normal errësirë t’i qëndroj afër, e ka frikën e vet të moshës”, thotë Hoxha.

Haradin Gegaj thotë se po ua ndërprenë energjinë elektrike pa i paralajmëruar. Ai ankohet edhe për çmimin e lartë të faturave të rrymës që i kanë paguar muajve të fundit.

Gegaj thotë se i gjithë pensionin e ka shfrytëzuar për ta paguar faturën e rrymës.

“Probleme kemi, sidomos për Vitin e Ri, 10 minuta e lëshonin, 5 minuta, gjysmë ore e ndalshin dhe prapë e lëshonin, vetëm me qirinj e bateria kemi kaluar…Deri 170 euro e kemi paguar, pensionin e marrë të pleqërisë, atë me hallën e kemi dhënë, shëndosh qofshim…A iu ka ardhur gjithmonë kështu fatura? Jo, vetëm tani kohët e fundit ka ardhur, prej Vitit të Ri, ka ardhur kjo faturë me të shtrenjtën. Nuk e di çfarë do të bëhet kështu, nuk mund ta përballojmë. Kur po e ndalin rrymën apo iu paralajmërojnë më herët? Jo, jo, veç ka me ulë dorezën, nuk po di ku është defekti këtu apo atje lartë”, shprehet Gegaj.

Edhe Razim Begaj thotë se po përballen çdo ditë me ndërprerje të energjisë elektrike, derisa shton se nuk po dinë se as ku qëndron problemi.

“Problem përditë, përditë kemi problem, për çka është arsyen nuk e di…Nga një orë tash, a më herët edhe nga dy, një e gjysmë, por në një orë jo…Për Vitin e Ri veç kush ka gjenerator, se për ndryshme me rrymë s’ka shansa të shikosh asgjë…Pa rrymë si pa jetë”, thotë Begaj.

Ndërkaq, zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Valmir Gashi në një prononcim për KosovaPress, tha se ky është dimri i tretë me radhë që qytetarët e Malishevës po ballafaqohen me reduktimet e energjisë elektrike.

Gashi tha se së fundi kanë bërë një memorandum, duke ndarë një hapësirë për ndërtimin e trafo stacionit. Ai shtoi se që projekti ideor ka kaluar, ndërsa ka pjesa e tenderimit akoma nuk ka filluar, siç thotë ai për arsye që KOSTT-i, i din më mirë.

Ai potencon se premtimi i KEDS-it, që nga 20 dhjetori i vitit 2023, do të fillonte rregullimi i linjës, nuk u përmbush.

“Ndoshta jemi komuna e vetme në nivel vendi që jemi duke e pësuar këtë situatë. Edhe ky dimër, sidomos periudha kur ka qenë edhe mërgata, ka qenë periudha më e rëndë më e keqe, që si komunë dhe qytetarë që janë ballafaquar me mungesën e energjisë elektrike por më keq, që reduktimet këtë vit kanë qenë të pa parashikueshme, nuk ka pasur asnjë orar pa njoftim paraprak, thjeshtë reduktimet kanë qenë tejet të rënda, që kanë rënë direkt në kurrizin e qytetarëve, bizneseve…Ne si komunë së fund kemi bërë edhe një memorandum, ku e kemi ndarë një hapësirë për ndërtimin e trafo stacionit. E mira është që projekti ideor ka kaluar, tash duhet edhe pjesa tjetër, është pjesa e tenderimit që akoma nuk ka filluar për arsye që KOSTT-i i din më mirë. Ndërsa, edhe në lidhje me KEDS-in, për të qenë korrekt edhe ndaj qytetarëve, për këtë vit e kemi pasur një premtim nga ana e KEDS-it që nga 20 dhjetori do të fillonte rregullimi i linjës, një kabllo bashkë me disa pajisje të avancuara që do ta ruanin forcën e energjisë elektrike, mirëpo as ai nuk ka filluar të instalohet siç ka qenë premtimi i tyre…”, thotë Gashi.

Lidhur me këto, zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi thotë se ndërtimi i një nënstacioni të ri, do të përmbushte kërkesat për konsum të qytetarëve të Malishevës. Megjithatë, shton se ndërtimi i tij nga ana e KOSTT-it, është shtyrë deri në 2027.

Krasniqi thekson se KEDS-i, do të bëjë për herë të parë implementimin e instalimit të “super përçuesit”, duke eliminuar përçuesin aktual.

Ai shton se ndërrimi i përçuesit aktual me të riun, do të bëhet në pranverë dhe se hyn në kuadër të një zgjidhjeje emergjente për këtë rajon, derisa të realizohet plani i ndërtimit të Nënstacionit nga KOSTT-i.

“Tashmë kur ndodhemi në stinën e dimrit, rritja e konsumit është shumë e lartë, gjë që po e ngarkon tej mase rrjetin elektrik shpërndarës. Në rastin e Malishevës, përveç kësaj ngarkese, është edhe mungesa e kapaciteteve në anën e Transmisionit (KOSTT) arsyeja pse këta konsumatorë nuk kanë furnizim të rregullt me energji elektrike. Ndërtimi i një Nënstacioni të ri do të përmbushte kërkesat për konsum për këta konsumatorë. Megjithatë, ndërtimi i tij nga ana e KOSTT-it është shtyrë deri në 2027. Duke qenë kështu, KEDS-i do të bëjë për herë të parë implementimin e instalimit të “super përçuesit”, duke eliminuar përçuesin aktual. Instalimi i këtij super përçuesi është i pari i këtij lloji në Ballkan, dhe KEDS-i është kompania distributive e para që e vë në funksion këtë. Ndërrimi i përçuesit aktual me të riun do të bëhet në pranverë, dhe hyn në kuadër të një zgjidhjeje emergjente për këtë rajon, derisa të realizohet plani i ndërtimit të Nënstacionit nga KOSTT-i. Në lidhje me këtë, janë mbajtur takime nga menaxhmenti i KEDS-it me përfaqësuesit e komunës së Malishevës, të cilëve u është shpjeguar në detaje ky plan”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it.

VIDEO BONUS: Pastrimi i borës në segmentin Kukës-Has nga kompania e njohur Arbotec