Agon Maliqi

Maliqi: SHBA e kishte situatën nën mbikëqyrje të plotë, me gjasë NATO e lejoi grupin e veriut të hyjë në Kosovë

Njohësi i çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi beson se inteligjenca e aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s, e ka përcjellur grupin që e sulmoi Policinë e Kosovës në veri dhe se i ka lejuar ata që të hyjnë në Kosovë.

Maliqi shkroi në Facebook se deklaratat e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier e kanë lënë të kuptojë se “dikush këtë situatë e kishte nën mbikëqyrje të plotë”.

“Inteligjenca e NATO-s këtë grupin e veriut e ka përcjellur në çdo hap edhe në Serbi, me gjasë edhe i ka lejuar të hyjnë. Si ato operacionet kundër drogës që e ndjekin “mallin” për me pa se ku po shkon dhe kush po përfshihet. Në fund ia kanë shërbyer policisë së Kosovës informatën në kohë, për ta parandaluar çfarëdo suksesi të përpjekjes për të krijuar realitet të ri në terren dhe me pasoja katastrofike për Kosovën, ndërsa KFOR-i amerikan e ka menaxhuar gjithë situatën drejtpërdrejt me policinë”, shkroi Maliqi.

“Ndërkohë që e gjithë Kosova nuk e kishte të qartë se çfarë po ndodhte, deklarata e qartë e Hovenier në orët e para të mëngjesit se kjo ishte përpjekje për destabilizim rajonal të lë të kuptosh se dikush këtë situatë e kishte nën mbikëqyrje të plotë. Bëhet fjalë për shtetin naiv të cilit liderët tanë i mbanin ligjerata dhe me kontributin e të cilit sot krekosen. I presim ligjeratat e radhës për sovranitet dhe mbrojtje prej synimeve djallëzore të perëndimit”, shtoi ai.