Maliqi-Gërvallës: Merr frymë dhe numëro deri në 10 para reagimeve

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, e ka kritikuar Kryediplomaten e Kosovës për reagimin e saj të mbrëmshëm pas raportimeve se dy raketa ruse kanë rënë në territorin e Polonisë, duke lënë të vrarë dy persona.

Ai e ka quajtur reagimin e Gërvallës si impulsiv dhe të papjekur, derisa e ka pasur edhe një sugjerim për të.

Reagime të tilla, sipas Maliqit, rrezikojnë ta na kthejnë në objekt të përqeshjes.

“Kish qenë mirë ministrja Gërvalla nja dy herë me u mbush frymë e me numëru deri në 10 para se me shkrujt tëeet-a impulsiv dhe të papjekur që e nxisin BE-në (pse BE-në e jo NATO-n?) për ta thelluar luftën me Rusinë, e që rrezikojnë me na kthy në objekt të përqeshjes”, ka shkruar Maliqi në Twitter.

Sipas Maliqit, në një situatë të tillë, Kosova vetëm duhet ta dënojë sulmin, të shpreh solidaritet me Poloninë dhe të tregojë gatishmëri për ndihmë.

“Ministrja nuk po komunikon as si Komisionere e BE-së, as si opinioniste, & as si shtetase e Gjermanisë, por si ministre e Jashtme e Kosovës – një vend që në situatë të tillë thjesht duhet ta dënojë sulmin, të shpreh solidaritet me Poloninë & të tregojë gatishmëri për ndihmë”, ka shkruar Maliqi.

Ndryshe, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka reaguar mbrëmë pas raportimeve se dy raketa ruse kanë rënë në territorin e Polonisë, duke lënë të vrarë dy persona.

Ajo menjëherë e bëri përgjegjëse Rusinë, derisa Bashkimit Europian iu drejtua me një kërkesë të qartë – ta ndalë Putinin.

“Të pikëlluar nga humbja e dy jetëve në Poloni, të cilët janë goditur nga raketat ruse. Jemi me familjet e tyre, Kosova qëndron krah Polonisë kundër regjimit të Putin. BE duhet të veprojë më vendomërisht për ta ndalur Putinin, përpara se ai dhe instrumentet e tij të sjellin luftën në tërë kontinentin”, ka shkruar Gërvalla.

Ndryshe, shpërthimi vdekjeprurës në Poloninë lindore – një vend anëtar i NATO-s – ka ngritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm në luftën disamujore Rusi-Ukrainë.

Ministria e Jashtme e Polonisë tha të martën vonë se një “raketë e prodhuar nga Rusia” ra në fshatin polak Przewodów, afër kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona. Ministria nuk specifikoi llojin e raketës apo nga është gjuajtur, por presidenti i vendit tha se “me shumë gjasa është prodhuar në Rusi”. Incidenti ishte një “veprim i vetëm” dhe nuk ka prova për raketa të tjera, tha kryeministri i Polonisë.

Rrethanat rreth incidentit, i cili shënon herën e parë që një vend i NATO-s është goditur drejtpërdrejt gjatë konfliktit pothuajse nëntëmujor, mbeten të paqarta – duke përfshirë kush e gjuajti raketën dhe nga u shkrep. Të dy forcat, ajo ruse dhe ajo ukrainase, kanë përdorur municione të prodhuara nga Rusia gjatë konfliktit, me Ukrainën që vendosi raketa të prodhuara ruse si pjesë e sistemit të tyre të mbrojtjes ajrore.

Polonia, një anëtare e NATO-s, tha se Varshava po konsideron të përdorë nenin 4 të aleancës së mbrojtjes për të diskutuar shqetësimet e saj dhe gjithashtu do të rrisë gatishmërinë luftarake të disa trupave polake. Neni 4 është një metodë konsultimi që lejon anëtarët e aleancës prej 30 vendesh të sjellin një çështje – zakonisht në lidhje me sigurinë – që i prek ata për diskutim në Këshillin e Atlantikut të Veriut, organin e tij vendimmarrës, shkruan CNN.