Maliqi flet për mungesë investimesh në kryeqytet: Autostradat do të shërbejnë për të ikur nga Prishtina

Analisti politik, Agon Maliqi, ka folur për investimet infrastrukturore në Prishtinë. Ai ka kritikuar qeveritë e kaluara por edhe Qeverinë Kurti për shpërfilljen që ia kanë bërë e po ia bëjnë Prishtinës.

Maliqi ka shkruar se Prishtinës nuk i kthehet as për së afërmi me buxhet dhe projekte të nivelit qendror, kontributi që jep Prishtina me taksa.

 Ai thotë se Prishtinës i duhen miliona investime në infrastrukturë dhe shton se autostradat që po ndërtohen, do të shërbejnë për ikje nga kryeqyteti në fundjavë.

Shkrimi i plotë:

Nëse flasim me logjikën “qe 20 vjet”, një aspekt ku kjo ankesë vlen është në shpërfilljen e vazhdueshme që qeveritë qëndrore (përfshirë kjo e sotmja) ia kanë bërë Prishtinës.

Në kryeqytet ndoshta të ardhurat e banorëve janë më të mëdha dhe dikush mund të thotë se Prishtina s’ka pse me u anku, apo se në vitet e mëparshme ka pasur nevojë të kompensohen rajone të tjera.

Por kontributi të cilin Prishtina e jep me taksa dhe barra të cilën e bart infrastruktura e Prishtinës si kryeqendër e shërbimeve për krejt Kosovën, nuk i kthehet as për së afërmi me buxhet dhe me projekte të nivelit qëndror.

Ndërkohë katrahura e infrastrukturës po rritet dhe Prishtina nevojat nuk i mbulon dot kurrë me buxhet komunal. Prishtinës i duhen disa qindra milionë investime për unazën e qytetit, transport publik, hapësira publike, parqe, rigjenerim urban të lagjeve, etj.

Përndryshe krejt këto autostrada që po ndërtohen kanë me shërby më shumë që njerëzit me u largu më lehtë prej Prishtinës për fundjava sesa me ardh në një qytet të pajetueshëm.