Maliqi: Bordi i RTK’së është jo funksional si rezultat i bojkotimit të vendimarrjes nga Naile Demiri

Ish kretarja e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Afërdita Maliqi e ka drejtuar gishtin ka anëtarja Naile Demiri për gjendjen në bord. Maliqi ka thënë se Bordi i RTK’së është jo funksional si rezultat i bojkotimit të vendimarrjes nga Demiri.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Maliqi ka thënë se parti të caktuara politike me muaj të tërë e kanë bllokuar Ligjin e RTK-së dhe nuk kanë dashur të aprovojnë këtë ligj, duke e ndërlidhur atë me interesa të ngushta.

“Më vjen keq, që për shkak të inateve të disa individëve që janë pjesë e partive politike dhe mendësisë së tillë, RTK do të vazhdojë të përballet edhe në të ardhmen me probleme, që do ta ngulfasin zhvillimin e saj”, ka shkruar Maliqi.

Ndërkohë, Naile Demiri i ka thënë dje Gazetës Express se ajo ka refuzuar që të marrë pjesë në mbledhjet e bordit, meqenëse nuk pranon që të shkelë ligjin.

Me mungesën e saj nëpër mbledhje të Bordit, Demiri ka thënë se po mundohet që të mbrojë veten nga shkeljet ligjore dhe ta shpëtoj RTK-në nga paligjshmëria.

“Që prej zgjedhjes si anëtare e Bordit të RTK-së, nuk kam bërë asnjë mungesë pa arsye në mbledhje. Për bojkotim as që bëhet fjalë. Kam refuzuar dhe do të refuzoj të marr pjesë në çdo proces që është në kundërshtim me ligjin për RTK-në. Për këtë i kam njoftuar me shkrim, Bordin e RTK-së dhe Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Demiri.

Postimi i plotë i Maliqit:

SQARIM

Gjatë mandatit tim për dy vjet si kryetare e Bordit të RTK-së kam qenë shumë transparente në çdo interesim që mediat dhe publiku kanë pas rreth punës së RTK-së e në veçanti punës së Bordit të RTK-së.

Kohëve të fundit, jam duke lexuar disa shkrime në media në raport me zhvillimet në RTK, veçanërisht rreth Bordit të cilin e kam drejtuar deri sot.

Me lejoni t’ju njoftoj se nga fundi i muajt prill të këtij viti, Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka mbetur me 6 anëtarë, nga 11 sa do të duhej t’i kishte sipas Ligjit për RTK-në. Normalisht një situatë e tillë nuk ka ndodhur për fajin tonë, por për shkak të neglizhencës së Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur anëtarët e rinj.

Bordi i RTK-së është jofunksional si rezultat i bojkotimit të vendimmarrjes nga znj.Naile Demiri, anëtare e Bordit, pa prejudikuar mënyrën e saj të votimit. Një gjë e tillë është mëse e papranueshme, duke marrë parasysh se secili nga ne ka përgjegjësi ligjore dhe paguhet për këtë punë.

Anëtarja në fjalë, e cila komunikimin me Bordin, edhe në mbledhje të Bordit, e ka bërë me letra të shkruara, këtë veprim të vetin e ka arsyetuar me qëllimin se nuk e njeh drejtorin e RTK-së, si të ligjshëm.

Kuvendi i Kosovës me një shkresë timen është njoftuar për bllokimin e vendimmarrjes në Bord, nga anëtarja në fjalë, më datë 17.06.2019.

Së pari, dua të sqaroj çështjen e zgjedhjes së kryetarit të ri të Bordit të RTK-së. Në bazë të ligjit të RTK-së, përbërja aktuale prej 6 anëtarëve e mundëson zgjedhjen e Bordit, sepse në ligj thuhet se kryetari zgjedhet me shumicë të votave të anëtarëve.

Votat e 2/3 të anëtarëve për zgjedhjen e kryetarit të Bordit kanë të bëjnë vetëm me mbledhjen konstituive, e assesi për fazën e tanishme. Neni 30 i Ligjit për RTK, pika 11 thotë: “Në mbledhjen e parë Bordi i RTK-së, me shumicë të thjeshtë votash, zgjedh kryetarin dhe nënkryetarin e tij nga radha e anëtarëve të Bordit; nëse në mbledhjen e parë janë të pranishëm së paku dy të tretat (2/3) e anëtarëve të Bordit”.

Pra, këtu nuk flitet për çështjen e konstituimit të Bordit, sepse konsiderohet i konsistuar dhe ka kuorum për të marrë vendime, por nuk ka vullnet nga kolegia Naile Demiri për të marrë pjesë në mbledhjet (dy mbledhje) të cilat janë thirr për këtë qëllim.

Interpretimet ligjore nga një person jokompetent për ta bërë këtë, të dërguar me email, kanë vetëm një qëllim: bllokimin e funksionimit normal të Bordit dhe rrjedhimisht të RTK-së si institucion publik.

.Së dyti, sa i përket çështjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së e kam sqaruar disa herë këtë proces. Procesi i përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm ka qenë transparent dhe në pajtim me Ligjin e RTK-së dhe aktet tjera ligjore e nënligjore.

Të gjithë anëtarët e Bordit që kanë marrë pjesë (shtatë anëtarë) në këtë proces kanë qenë të përfshirë në të gjitha fazat intervistuese të kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm. Edhe ata që sot janë duke e kundërshtuar Drejtorin e Përgjithshëm (me urdhra të disa individëve të një partie politike), në këtë rast kolegia Naile Demiri, ka marrë pjesë në të gjitha fazat e intervistimit, duke nënshkruar të gjitha procesverbalet dhe raportet vlerësuese të kandidatëve për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm.

Zgjedhja e drejtorit ka qenë në përputhje me Ligjin e RTK-së, pas interpretimit ligjor që kemi pranuar si Bord. Ju njoftoj se vendimi për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm është kontestuar edhe nga kolegia Demiri, e cila u është drejtuar institucioneve kompetente, por ajo dhe bashkëpunëtorët e saj duhet të tregojnë se çfarë përgjigje kanë marrë nga këto institucione! (Një aktvendim po ua bëj publik unë, e atë të Gjykatës së Apelit le ta publikojnë ata).

Neni 25, paragrafët 5 dhe 7 të Ligjit të RTK-së, e specifikon qartë që anëtarët e Bordit nuk lejohet të kërkojnë apo pranojnë asnjë instruksion në lidhje me aktivitetet e Bordit nga asnjë interes jashtë RTK-së, andaj duke qenë se Bordi është në një fazë, që pas konstituimit të legjislaturës së re do të plotësohet me 7 anëtarë të rinj, unë i bëj thirrje të gjithë deputetëve të rinj, që të kenë kujdes në përzgjedhjen e anëtarëve që motiv kryesor e kanë përmbushjen e ambicieve të partive politike edhe nëse rrënohet institucioni, e jo zhvillimin e institucionit.

Politika njëherë e përgjithmonë duhet të heq dorë nga Transmetuesi Publik.

Roli i Kuvendit të Kosovës është që t’i sigurojë një financim të qëndrueshëm dhe objektin Transmetuesit Publik, por sot RTK është pa të dyjat. Gazetarët e RTK-së punojnë në kushte të pafavorshme në mungesë të hapësirave adekuate.

Kjo, sepse parti të caktuara politike me muaj të tërë e kanë bllokuar Ligjin e RTK-së dhe nuk kanë dashur të aprovojnë këtë ligj, duke e ndërlidhur atë me interesa të ngushta.

Më vjen keq, që për shkak të inateve të disa individëve që janë pjesë e partive politike dhe mendësisë së tillë, RTK do të vazhdojë të përballet edhe në të ardhmen me probleme, që do ta ngulfasin zhvillimin e saj.

loading…