Kryetari i Parlamentit Serb dhe udhëheqësi i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) Ivica Daçiq, ka vazhduar propagandën kundër ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai të shtunën deklaroi për mediumin serb ‘Kosovo Online’ se kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, kishte marrë pjesë personalisht në vrasjen dhe torturimin e serbëve në Kleçkë.
“Është për të ardhur keq që partia e tij po tërheq vëmendjen nga gjyqi për krimet e UÇK-së kundër serbëve. E gjithë bota tani e sheh se çfarë krimesh ata kryen kundër serbëve. Dhe ky është vetëm fillimi. Le të merren me këtë”, deklaroi pasardhësi i kriminelit Millosheviq.
I njëjti më herët kishte kërcënuar serbët që po tregojnë për varresat masive të shqiptarëve, të fshehura nga regjimi serb.
“Lëreni ju amerikanët, gjermanët, turqit, çfarë të bëjmë ne me serbët? Që ju tregojnë shqiptarëve, kroatëve, e flasin lloj lloj budallallëqesh të ndryshme, e ju tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët në gjithë Serbinë”, tha Daçiç i nervozuar në emisionin “Cirilica” në “Tv Happy”.
Daçiç, teksa shkoi më tej me këtë deklaratë tha se serbë po bashkëpunojnë me shqiptarët, pasi sipas tij nuk ka mundësi që dokumente sekrete në të cilat flitet për krimet e luftës dhe u realizuan nga shërbimi serb BIA, të bien në duart e njerëzve të UÇK-së.
“Tani jua them, shikoni atë misionin e Vlejko Odalovic për gjetjen e personave të humbur, që pak nga pak shkojnë e hulumtojnë disa lokacione, të cilat i raportojnë disa spiunë të caktuar. E disa njerëz nga prokuroria jonë, prokuroria e krimeve të luftës bashkëpunojnë me shqiptarët. Si ka mundësi që dokumentet nga shërbimet tona, nuk e di nëse është prokuroria, të përfundojnë në duart e UÇK-së”, deklaroi ai.
E përgjatë ditës së sotme, Sekretari i Përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka mbajtur një konferencë për media ku ka kërkuar hetim nga ana e Gjykatës Speciale për të gjitha krimet e kryera në luftën e fundit në Kosovë.
Sherifi para gazetarëve ka thënë se përfaqësues të shtetit dhe të prokurorisë serbe kanë pohuar publikisht se kanë qenë në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Specializuar të Kosovës në Hagë dhe se gjatë këtij bashkëpunimi ata e kanë furnizuar Prokurorinë e Specializuar të Kosovës me “provat” mbi bazën e të cilave është ngritur aktakuzë kundër udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Duke u bazuar në deklaratën e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, zonjës Ekaterina Trendafilova në të cilën thotë se: “Pa marrë parasysh përkatësinë etnike ose nënshtetësinë, çdonjëri që ka kryer krime ndaj qytetarëve të Kosovës dhe atyre të ish-Jugosllavisë, do të llogaritet përgjegjës”, të njëjtën deklaratë këto ditë e ripohoi publikisht edhe zëdhënësi i Dhomave të Specializuara dhe e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, zoti Michael Doyle, NISMA Socialdemokrate kërkon nga Prokuria e Kosovës të sqarojë publikun nëse ka pasur bashkëpunim me Dhomat e Specializuara në funksion të ndriçimit të krimeve që Serbia ka kryer gjatë luftës në Kosovë”, deklaroi Sherifi.







