Mali i Zi kërkon përdorimin e gjuhës malazeze në Serbi

Partia malazeze (Crnogorska partija – CP) i ka dërguar një letër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në të cilën ka theksuar se në komunën e Vërbasit po vazhdon diskriminimi i qytetarëve të komunitetit malazez.

Kjo parti, siç përcjell gazeta e Beogradit “danas” letrën e ka dërguar pas deklaratës së kryetarit të komunës së Vërbasit në Serbi, Milan Glush, se kjo komunë “nuk do të veprojë sipas ligjit dhe ta fusë në përdorim gjuhën malazeze edhe pse për këtë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore”.

Kjo parti ka vlerësuar se deklarata e Milan Glushit “se komuna e Vërbasit nuk e zbaton ligjin për ta futur në përdorim gjuhën malazeze, flet qartë se po vazhdon diskriminimi i qytetarëve që i përkasin komunitetit malazez pa marrë para sysh se cilat struktura politike e udhëheqin komunën.

“Për zhgënjimin e komuniteti malazez, administrata aktuale vendore që e udhëheq Partia Përparimtare serbe, lidhur me çështjen e gjuhës malazeze, po sillet në mënyrë të njëjtë sikur udhëheqja paraprake”, shkruan në letrën drejtuar Vuçiqit i cili e udhëheq këtë parti.

Partia malazeze ka shkruar se duken shumë të papërgjegjshme deklaratat e funksionarëve komunalë se nuk do ta zbatojnë ligjin, ndërsa nga Vuçiqi ka kërkuar që me autoritetin e vet të ndikojë tek autoritetet vendore që ta zbatojnë ligjin për përdorimin e gjuhës malazeze në këtë komunë.