Ish-deputetja

Majlinda Bregu nis detyrën si Sekretare e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal

Ish-deputetja demokrate, Majlinda Bregu ka marrë detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, pas emërimit të saj nga ministrat e Jashtëm të procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Në përshëndetjen e saj me marrjen e kësaj detyre, Bregu thotë se “përtej dallimeve dhe kufijve gjeografikë kemi një interes të përbashkët” dhe se “bashkëpunimi është kryefjala”.

“Jam e bindur se, së bashku, nën drejtimin politik të procesit të bashkëpunimit në Europën Juglindore dhe mbështetjen e Bashkimit Europian, duke përfshirë median, shoqërinë civile, së bashku do të përpiqemi të bëjmë zgjedhje të mençura, që nxisin e mbështesin dialogun me të gjitha grupet në shoqëri.

Nuk do të jetë e lehtë, e di. Do të jetë një sfidë ‘të notosh’ në mes të situatave të vështira ekonomike, shoqërore dhe politike. Është fakt, që e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtësisht me zhvillimin e përbashkët. Ndërlidhja! Integrimi i ekonomive tona në një treg të vetëm; lidhja e njerëzve dhe bashkëjetesa e vlerave; investimi në kapitalin njerëzor dhe intelektual; çdo reformë lidhet me interesin tonë të përbashkët politik, atë të sigurisë dhe dukshëm me atë ekonomik. Nuk është rastësore që nevoja për Europë në rajon është kaq e fuqishme”, thotë Bregu.

Kandidimi i zonjës Bregu u mbështet nga qeveria shqiptare. Majlinda Bregu, përveç mandatit si deputete e Partisë Demokratike, ka qenë edhe ministre e Integrimit në qeverinë e kryeministrit Berisha.

Më pas, ajo u largua edhe nga jeta aktive në forumet politike, njëkohësisht vendosi kandidaturën për postin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, e në prill të vitit 2018 ministrat e Jashtëm të Europës Juglindore votuan për të.