Magnus Jacobsson: Shumë shtete të reja duhet ta kenë Kosovën model si të zgjidhen problemet përmes zgjedhjeve

Magnus Jacobsson është deputet në Parlamentin e Suedisë, ku përfaqëson Partinë Demokristiane.

Kosova dhe çështja e saj prej vitesh janë pjesë e agjendës së tij personale. Ai disa herë ka thirrur interpelanca rreth (mos)liberalizimit të vizave për Kosovën.

Po ashtu Jacobsson pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Washington, kishte nominuar SHBA-në, Kosovën dhe Serbinë për Çmimin Nobel për Paqe.

Në një intervistë për KlanKosova.tv, ai ka folur për çështjet që ngre rreth Kosovës, por edhe për zgjedhjet e përgjithshme të do të mbahen më 14 shkurt.

“Pavarësisht se kush do të fitojë, Kosova ka secilën arsye që të jetë krenare që problemet e saj politike mund t’i zgjidhë përmes zgjedhjeve. Dua që shumë shtete të tjera të reja të mësojnë nga kjo dhe që Kosovën ta kenë si model”, është shprehur ai.

“Shpresoj që qeveria e re mund të punojë më tepër për ta luftuar korrupsionin në Kosovë, kështu që Bashkimi Evropian do ta ketë më të vështirë që t’i referohet korrupsionit kur të refuzohet udhëtimi pa viza për Kosovën”.

Jacobsson që ka qenë disa herë në Kosovë, ka theksuar se ka politikanë miq këtu, ndërkaq gjatë qëndrimit këtu ka potencuar se ka vërejtur nderimin që kosovarët – pavarësisht besimit që kanë, i bëjnë Shën Nënë Terezës.

“Ky respekt është diçka që ne në Evropë duhet ta mësojmë nga Kosova”.

INTERVISTA E PLOTË:

Kemi parë disa herë që çështja e Kosovës ka qenë pjesë e agjendës tuaj personale. Çfarë ju bën për ta shtyrë përpara çështjen e Kosovës për arenën ndërkombëtare?

Magnus Jacobsson: Nëna ime ka punuar në Bordin për Migrim kur shumë refugjatë nga Kosova erdhën këtu gjatë kohës së luftës. Unë po ashtu kam shumë miq në Udevalla të cilët vijnë nga Kosova. Kjo ka bërë që unë ta ndjek situatën në Kosovë që nga vitet e ’90-ta.


Pasi ishte arritur marrëveshja e 4 shtatorit në Washington të SHBA-së në mes të Kosovës dhe Serbisë, ju keni nominuar për Çmimin Nobel për Paqe qeveritë e SHBA-së, Kosovës dhe Serbisë. A besoni ende se këtyre tre palëve duhet t’u jepet ky çmim?

Magnus Jacobsson: Shpresoj që Komiteti i Çmimit Nobel e sheh se kjo është një marrëveshje që mund të çojë drejt zhvillimit pozitiv të tërë rajonit.

Tregtia shpesh çon drejt zhvillimeve më paqësore, derisa pjesë të rëndësishme të kësaj marrëveshjeje mungojnë – përkatësisht njohja e Kosovës dhe fakti që Serbia duhet të kontribuojë në gjetjen e mbetjeve mortore që ende mungojnë pas luftës.


Ju keni thirrur interpelanca në Parlamentin e Suedisë për çështjen e liberalizimit të vizave. Cili ka qenë rezultati i tyre dhe 
ç’plane keni për të ardhmen rreth kësaj, pasi që kosovarët ende janë të izoluar?

Magnus Jacobsson: Për fatin e keq, nuk është e lehtë që Kosova të çlirohet nga vizat, por unë synoj që të vazhdoj që të shpalos argumente për këtë në Parlamentin e Suedisë.

Shpresoj që qeveria e re mund të punojë më tepër për ta luftuar korrupsionin në Kosovë, kështu që Bashkimi Evropian do ta ketë më të vështirë që t’i referohet korrupsionit kur të refuzohet udhëtimi pa viza për Kosovën.

Në të kaluarën kemi parë se keni qenë për vizitë në Kosovë. Çfarë ju lidh me Kosovën?
Magnus Jacobsson: Nuk kam ndonjë marrëdhënie personale me Kosovën, por gjatë vizitës atje kam arrit që ta njoh Behgjet Pacollin. Po ashtu atje kam krijuar miqësi me anëtarë të Partisë Demokristiane të Kosovës

Cilat janë anët e mira dhe ato më pak të mira që keni parë në Kosovë?

Magnus Jacobsson: Kam pasur privilegjin që ta vizitoj Kosovën disa herë. Ajo që më ka bërë përshtypje është se rrugët kryesore kanë nisur që të rregullohen. Infrastruktura e mirë është e domosdoshme që ekonomia të zhvillohet.

Po ashtu ishte shumë interesante që të shohësh se si Prishtina tregonte aq shumë respekt për traditat e ndryshme religjioze. Të gjithë shqiptarët duket se janë barabartësisht krenarë me Nënë Terezën, pavarësisht besimit që ata i përkasin. Ky respekt është diçka që ne në Evropë duhet ta mësojmë nga Kosova.

Cilët politikanë kosovarë tjerë i njihni? Keni ndonjë që parapëlqeni?

Magnus Jacobsson: Si anëtar i parlamentit të një vendi tjetër nuk do të merresha me atë se si po shkojnë zgjedhjet në Kosovë. Duke thënë këtë, unë ju dëshiroj miqve të mi fat në zgjedhje pavarësisht se cilën parti përfaqësojnë ata.


Siç e thatë Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. A po e përcillni situatën e këtushme? Kush besoni se do të fitojë?

Magnus Jacobsson: Përpiqem që zgjedhjet t’i përcjell përmes miqve, por që unë fatkeqësisht nuk lexoj as flas gjuhën shqipe. Është e vështirë që të përcillet situata ndonëse do të doja. Sidoqoftë është pozitive ta shohësh Kosovën tek ndodhet prapë në cep të mbajtjes së zgjedhjeve demokratike.

Pavarësisht se kush do të fitojë, Kosova ka secilën arsye që të jetë krenare që problemet e saj politike mund t’i zgjidhë përmes zgjedhjeve. Dua që shumë shtete të tjera të reja të mësojnë nga kjo dhe që Kosovën ta kenë si model.