Macron: Tash nuk është koha e duhur për hetime rreth pandemisë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka thënë kryeministrit australian, Scott Morrison se tani nuk është koha e duhur për hetime ndërkombëtare për pandeminë e koronavirusit.

Kreu i Francës gjithashtu raportohet t’i ketë thënë shefit të qeverisë australiane se ajo që nevojitet me urgjencë tash për tash është marrja e masave në mënyrë të unifikuar nga shtetet para se të shikohet kush ka qenë gabim.

“Ai thotë se pajtohet që në fillim të përhapjes kanë qenë disa probleme, por tash me urgjencë kërkohet kohezioni dhe se tash nuk është koha për hetime, duke e ritheksuar nevojën për transparencë nga të gjithë aktorët, jo vetëm nga OBSh-ja”, i tha një zyrtar i Pallatit Elysee agjencisë Reuters.

Kryeministri australian më parë ka kërkuar përkrahje për zhvillimin e hetimeve ndërkombëtare për pandeminë gjatë bisedave telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, shkruan “Rueters”.

Kina është akuzuar se në fillim të përhapjes së koronavirusit është munduar t’i fshehë rastet duke ndikuar negativisht në prekjen e vendeve të tjera.