Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se Franca do ta njohë shtetin e Palestinës të hënën në New York.

Këtë qëndrim, ai e bëri të ditur përmes platformës X, ku njoftoi se ka biseduar me Presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas.

Macron ka shkruar se Abbas-in e ka falënderuar për bashkëpunimin që ka çuar në arrestimin e njërit prej autorëve kryesorë të sulmit të tmerrshëm terrorist në Rue des Rosiers.

“Ne ramë dakord të punojmë së bashku për të siguruar ekstradimin e tij sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka shkruar ai.

“Duke marrë parasysh urgjencën e jashtëzakonshme të situatës në Gaza dhe në të gjitha territoret palestineze, ia përsërita Presidentit Abbas synimin tim për ta njohur Shtetin e Palestinës të hënën në Nju Jork”, ka shtuar Macron.

Kjo njohje, sipas tij, është pjesë e një plani gjithëpërfshirës paqeje për rajonin, me synim përmbushjen e aspiratave të të dyja palëve, izraelite dhe palestineze, për siguri dhe paqe.

“Gjithashtu, ritheksova kërkesat tona ndaj Autoritetit Palestinez. Në këtë drejtim, Presidenti Abbas rikonfirmoi vendosmërinë e tij për të zbatuar reformat e nevojshme për të rinovuar qeverisjen palestineze dhe për t’u përballur me sfidat për stabilizimin e shtetit të ardhshëm palestinez. Franca do të vazhdojë të qëndrojë përkrah autoriteteve palestineze në këtë rrugëtim”, ka shkruar Macron, më 19.09.2025.

“Ne do të sigurohemi që këto angazhime të përmbushen, për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit”, ka përfunduar ai.