Macron: Do të organizoj një takim mes Kosovës e Serbisë, bashkë me Merkelin

“E kam lutur presidentin francez që të na ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas bisedës që zhvilloi me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, duke shtuar se ky ka qenë një prej takimeve më të gjata që ka zhvilluar deri më tani me liderë botërorë.

“Kam thënë të vërtetën dhe e kam lutur që Franca të na ndihmojë në rrugën evropiane dhe në zgjidhjen e krizës së Kosovës”, ka thënë Vuçiqi, duke kujtuar se biseda me të ishte e hapur dhe e sinqertë, raporton B92.

Kurse Macroni tha se do të organizojë një takim mes liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, bashkë me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Ishim shumë të sinqertë në takim. Unë do të organizoj një takim me ju, me kryeministren serbe, me udhëheqësinë e Kosovës dhe me kancelaren Merkel. Franca dëshiron që të arrihet marrëveshja. Serbia dhe Kosova janë shtete evropiane dhe dëshirojmë kjo të kthehet në realitet”, ka deklaruar Macroni. /Ballkani.info/