LVV në përpjekje për ta hequr Mitrovicën e Veriut nga “Zajednica”, synon anëtarësimin e saj në AKK

Në një kohë kur i mbarë komuniteti Trans-Atlantik dhe i tërë Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i kërkon Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të themelojë Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe – të cilin edhe e ka pranuar në Nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit – partia që ai udhëheq synon plotësimin e një Asociacioni tjetër, atë të Komunave të Kosovës, duke ia bashkuar Komunën e Mitrovicës së Veriut të banuar me shumicë serbe. Udhëheqësinë kësaj komune e kanë fituar me 519 vota të shqiptarëve pa pjesëmarrje të komunitetit serb.

Në kundërthënie me atë çfarë Albin Kurti profesonte dhe parashihte për kryetarët e rinj, të cilëve u thoshte udhëheqës me “u” të vogël të cilët assesi nuk do të shfaqin “triumfalizëm” në punët (thjesht administrative dhe teknike), vendimet që janë synuar të marrin me mandatet skajshmërisht të zbehta (ndonëse legale) tregojnë një tablo të kundërt. Triumfalizëm dhe udhëheqës tamam me “U” të madhe, së paku në ambicje. Anëtarësimi i Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, vendimi për hapjen e Urës së Ibrit, kërkesën për të paguar rrymën që e shpenzojnë banorët e asaj komune (etj) janë mbase vendimet me “V” në madhe që mund të merren nga kryetarët me “K”-në më të madhe; këto çështje duke qenë prej më të nxehtave në vend.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, ndonëse e kanë pranuar legalitetin e zgjedhjeve, duke qenë se jo më shumë se 3 përqind e popullatës atje ka votuar, ka kërkuar që ata të mosushtrojnë funksione përtej-administrative dhe teknike. Madje, ShBA thoshte se edhe vetë Kurti i kishte siguruar se mandati i tyre do të ishte teknik, sa për të kryer shërbime bazike komunale, e jo për veprime që do të mund të acaronin gjendjen atje.

Këto vendime me “V” të mëdha të udhëheqësve me “u” të vogël, megjithatë nuk janë komentuar nga bashkësia ndërkombëtare të cilët kërkesë kryesore vazhdojnë ta ketë themelimin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, krahas kërkesave për shtensionim: tërheqjen e Lulzim Hetemit (kryetarit të mbyllur në komunë) të Leposaviqit, largimin e njësive speciale nga afritë e komunave si dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Por, Kurti përveç që ka shpërfillurat kërkesat ndërkombëtare, partia që udhëheq ai, hiç më larg se dje “votoi” pro anëtarësimit të Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe.

“Sot, në Kuvendin Komunal, në Veriun e Mitrovicës, u votua pro bashkimit të Komunës Veriore të Mitrovicës në Asociacionin e Komunave të Kosovës. Kjo votë tregon përkushtimin dhe mbështetjen për bashkëpunimin e fortë dhe përforcimin e qeverisjes lokale. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi i komunave janë thelbësore për të adresuar sfidat dhe për të ndërtuar një shoqëri më të bashkuar dhe më të qëndrueshme për të gjithë”, shkroi dje në Facebook këshilltarja komunale Aida Doli nga Vetëvendosje.

Lista Serbe ka reaguar për vendimin e marrë nga asambleja që kjo komunë t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës duke e vlerësuar si “null” dhe “të pavlefshëm” në mesin e qytetarëve të asaj komune, ngase është marrë nga përfaqësues “jo legjitim”.

Sikur të gjitha vendimet gjer më tash, vendimi për anëtarësim në Asociacion të Komunave të Kosovës, që është marrë nga shumica e paligjshme dhe jolegjitime e asamblesë komunale në Mitrovicë të Veriut, është null, dhe askush nuk e konsideron relevant në mesin e qytetarëve të Mitrovicës së Veriut”, ka shkruar Lista Serbe.

Madje, Lista Serbe thotë se “përfaqëson vetëm qëllimin e regjimit të Albin Kurtit për përshkallëzim të situatës”.

Sa i përket Asociacionit, qytetarët tanë janë të interesuar për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe, si institucioni çati që do të mbrojë popuzllin serb…”, ka shkruar Lista Serbe./nacionale