LVV-ja dhe LB-ja, partitë e vetme kosovare që e mbështesin Rekën për president

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja për Bashkim janë dy partitë e vetme kosovare që e kanë përkrahur Blerim Rekën për president të Maqedonisë, shkruan Gazeta “Zëri”.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, është shprehur se mbështetja e shqiptarëve të Maqedonisë ndaj Rekës në zgjedhjet presidenciale do ta forconte faktorin shqiptar. Mirëpo ai theksoi se është e pakuptueshme që disa shqiptarë të Maqedonisë përveçse nuk po e përkrahin Rekën, ata edhe po bëjnë fushatë për ta penguar suksesin e tij.

“Është e padiskutueshme që mbështetja për kandidatin shqiptar për president të Maqedonisë nga shqiptarët e Maqedonisë do ta forconte edhe më shumë faktorin shqiptar. Ajo çfarë unë nuk po e kuptoj është se përse disa shqiptarë të politikës atje kane nisur dy fushata, në njërën anë për ta mbështetur kundërkandidatin e një shqiptari dhe në anën tjetër për ta penguar suksesin qysh në rundin e parë të kandidatit të vetëm shqiptar, profesor Blerim Rekës. Nuk do të thotë që Blerimi të mbështetet vetëm për faktin që është shqiptar, por po ashtu edhe nuk duhet të kundërshtohet e luftohet kaq shumë pikërisht për faktin që është shqiptar”, është shprehur Selimi.

Përkrahje të njëjtë i ka dhënë gjatë së premtes edhe lideri i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, shkruan Gazeta “Zëri”.

Ai ka thënë se partitë shqiptare në Maqedoni duhet të bëjnë përpjekje që ta kenë një kandidat konsensual për president të shqiptarëve, por edhe të maqedonasve.