Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një bisedë për Albanian Post i është kundërpërgjigjur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili tha të mërkurën se partia që ai udhëheqë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, garon vetëm me veten, derisa ka vlerësuar se nuk duhet të humbin kohë me partitë tjera, të cilat aktualisht janë pjesë e opozitës.

“Po, është e vërtetë ajo që ka thënë zotëri Kurti sepse ata punojnë vetëm për veten dhe garojnë vetëm për veten. Nuk punojnë as për Kosovën, as për qytetarët e saj e as për një sektor të vetëm, por vetëm për vetën e tyre. Tani, a është zonja Gërvalla, zonja Kusari-Lila e zotëri Peci pjesë e vetes së zotëri Kurtit apo jo, mbetet për t’iu arsyetuar votuesve të tyre, por e vërteta e madhe është që Kurti vetëm veten e sheh dhe askënd tjetër”, tha Haziri.

Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një tubim me simpatizantët në sallën “1 tetori” në Prishtinë, në prezantimin e kandidatëve për deputetë nga radhët e LVV-së ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, garon vetëm me veten.

“Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët Guxo dhe Alternativa, garon vetëm me veten. Nuk na duhet të humbim kohë me të tjerët, por të garojmë me veten, me vështrimin në qëllimet tona më të larta”, theksoi kryeministri Kurti.

Më shumë sesa një shpalosje e ofertës politike, fjalimi i gjatë i Kurtit ishte një retorikë e ashpër kundër opozitës dhe të gjithë zërave kritikë ndaj qeverisjes së tij.

Duke bërë një ndarje të qartë mes asaj që ai e quajti “ne”, ku përfshiu atë dhe të gjithë ata që i ka mbrapa dhe atyre që i quajti “ata”, duke iu referuar partive opozitare shqiptare dhe Listës Serbe – të cilat i barazoi – Kurti kërkoi edhe një mandat vetëm, pas askënd në koalicion, ashtu siç e ka aktualisht, por me përmasa edhe më të mëdha.

500 mijë është numri i votave që kreu i LVV-së kërkoi nga qytetarët e Kosovës që t’ia japin. Kur filloi të “argumentoi” se pse i nevojiten këto vota, Kurti përdori diskursin e vjetër: që të mos varen nga Lista Serbe, por as nga partitë tjera opozitare shqiptare, të cilat i quajti “të stërvjetëruara”.

“500 mijë vota nuk është thjesht aspiratë sa për kuriozitet, por është më e nevojshme se kurrë që jo vetëm të vazhdojnë punët e mira, të drejta e të domosdoshme që kemi nisur për republikën tonë, por që edhe të mos varemi nga Lista Serbe e as nga klubi i stëvjetruar politik”, deklaroi Kurti.