Lutfi Haziri s’e di a do t’i lejohet vizita në Bujanoc për 28 nëntor

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, sot është takuar me kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit, Adnan Salihu dhe kryetarin e Lëvizjes së Progresit Demokratik, Shqipërim Musliu, nga të cilët ka marrë ftesë për vizitë në Bujanoc më 28 nëntor.

Haziri ka thënë për Koha.net se është plotësisht i gatshëm për të vizituar Bujanocin, por se ai është në listën e individëve nga Kosova të cilëve u ndalohet hyrja në Serbi.

“Jam plotësisht i gatshëm të shkoj. Sigurisht, duhet të shohim pasi jam në listën e atyre që s’u lejohet hyrja. Më duhet të aplikoj në ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të ndjekim procedurat kur t’i vije koha dhe të shohim hapat e ardhshëm”, ka thënë ai për Koha.net.

Në takim, kreu i Gjilanit ka konfirmuar se në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2019”, do të organizohet akademi përkujtimore në 1-vjetorin e vdekjes së veprimtarit të çështjes kombëtare, Jonuz Musliu.