Lutfi Haziri kërkon ndryshime kufijsh: Vetëm kështu zgjidhet problemi me Serbinë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, sërish ka mbrojtur idenë e tij për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbisë, pavarësisht se ideja e tij nuk gjen mbështetjen e subjektit të tij politik.

Ai në emisionin Imazh të RTK-së ka thënë se mendim i tij për ndryshimin e kufirit mes dy shteteve ndryshon nga ai LDK-së.

“Mendoj se kjo do ndihmonte në pajtimin e Kosovës me Serbinë, kjo është njëra nga rrugët e zgjidhjes se problemit në mes të dy vendeve”, tha Haziri, duke shtuar se me ndërrimin e territorit Kosova nuk do të humbiste asgjë.

“Tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi janë peng i politikës. Ndërrimi i territorit nuk do të dëmtonte Kosovën, kjo do të ishte e mundshme me një marrëveshje dypalëshe në mes dy shteteve”, u shpreh ai.

Sipas tij, shqiptarët si shumicë në Luginën e Preshevës, duhet t’i bashkohen Kosovës dhe të mos jetojnë në shtetin të cilin nuk e duan, ndërsa Leposaviqi dhe 17 fshatra, si shumicë absolute serbe, t’i bashkëngjiten Serbisë.

Ndryshe, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka kritikuar idenë për ndryshim kufijsh, duke thënë se kryetari i LDK-së Isa Mustafa duhet ta disiplinojë Lutfi Hazirin.