Nënkryetari

Lutfi Haziri ia numëron dështimet Qeverisë Haradinaj: Ushtria pa NATO-n, vizat, Interpoli…

Nënkryetari i LDK-së dhe kryetari i Komunës së Gjilani, Lutfi Haziri ia ka numëruar dështimet koalicionit qeverisës të drejtuar nga Ramush Haradinaj.

Në listën e dështimeve, Haziri përmend mos-liberalizimin e vizave, reformat, mungesa e mbështetjes së NATO-s për Ushtrinë e Kosovës, dështimi në Interpol, UNESCO, etj.

“Nuk u arrit të merret data për liberalizim, nuk u zbatuan reformat, nuk u arrit konsensusi i gjerë për dialogun, nuk u arrit mbështetja e NATO për ushtrinë, nuk u arrit mbështetja për Buxhetin 2019…A duhet edhe më shumë me listu telashe që PAN-istat po a japin Kosovës ‘dhuratën’ e Krishtlindjeve, pa e përmendur edhe dështimin e takimit të CEFTA nën kryesimin e Kosovës, dështimin e INTERPOL e UNESCO, tërheqjen e 12 njohjeve nga shtetet që ishin radhitur pro Kosovës”, thotë Haziri, raporton Ballkani.info.

Ditëve të fundit, ka një përplasje mendimesh ndërmjet Hazirit dhe Haradinajt rreth Ushtrisë.

Haziri e ka quajtur gjysmake Ushtrinë pa miratimin e NATO-s, ndërsa Haradinaj i është kundërpërgjigjur duke thënë se Haziri dhe LDK duhet të qartësojnë pozicionin e tyre nëse janë pro apo kundër Ushtrisë. /Ballkan.info/