Lushtaku: Specialët në veri mbetën pa ushqim, qytetarët rrezikuan jetën për t’ua dërguar

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka thënë se keqmenaxhimi dhe pa përvoja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit po shihet çdo ditë në politikë. Sipas tij, Kurti nuk ka aftësi dhe ekip në menaxhimin e situatës së sigurisë së Kosovës.

“Keqmenaxhimit të tij dhe pa përvojës së tij, çdo ditë që po shihet në politikë. Unë nuk e dëshirojë asnjë konflikt në veri të vendit, por po shihet qartë se nuk ka aftësi dhe ekip Kurti në menaxhimin e situatës së sigurisë së vendit. Patëm dy raste kur Kurti ka intervenuar dhe fatkeqësisht është kthyer pa një rezultat pozitiv sa i përket veriut dhe shtrirjes së legjitimitetit në çdo cep të Kosovës”, ka deklaruar Lushtaku në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Ai thotë se Njësia Speciale e Kosovës gjatë aksionit të natës së 31 korrikut e ka pasur të vështirë të ushqehet në veri, sipas tij, qytetarët e kanë rrezikuar edhe jetën e tyre për t’i dërguar ushqim policëve.

“Kur e dërgon një Njësi Speciale në veri dhe fatkeqësisht ajo nuk është e mbështetur sa duhet në aspektin operativ. Kanë pasur të vështirë edhe të ushqehen në pjesën e veriut, kam informata të dorës së parë ku qytetarët e kanë rrezikuar edhe vetën e tyre për t’i dërguar ushqim policëve të njësisë së Kosovës. Kjo është fatkeqësi për një institucion siç është Policia e Kosovës e cila është nën udhëheqjen e Kurtit dhe ministrit të Brendshëm”, tha Lushtaku.