ligjëruesja

Lushaku: Fjalimet e Kurtit pas takimeve në Bruksel boshe – pretendime për t’u bërë lider i rajonit

Jehona Lushaku, ligjëruese e Integrimeve Evropiane, vlerëson se fjalimet e Kryeministrit Albin Kurti pas takimeve në Bruskel janë boshe se nuk kanë asgjë konkrete rreth gjërave që janë diskutuar në takime.

Lushaku në Rubikon deklaroi se pjesëmarrja në këto takime është e rëndësishme për Kosovën mirëpo deklarimet pas takimeve janë përtej qëllimit të takimeve për të cilat shkojnë kryeministri Kurti dhe Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, njofton Klan Kosova

“Kjo pjesëmarrje është e rëndësishme dhe Kosova nuk duhet ta refuzojë dhe duhet të marrë pjesë aktivisht. Mirëpo, deklaratat e Presidentes që pati në takimin në Slloveni por edhe zotëri Kurti po mbajnë fjalime që më shumë janë përtej qëllimit të takimeve për të cilat ata shkojnë”.

“Pikërisht deklarata e mbrëmshme për rendin dhe ligjin, për luftimin e oligarkisë, autokracisë nuk janë të nevojshme për këto lloj takimesh, krejt çka i intereson publikut është se çka është diskutuar brenda dhe çfarë veprimesh konkrete priten dhe si do të jetë dialogu. Gjitha këto janë veprime konkrete që publikut i interesojnë”.

Mes tjerash Lushaku tha se Kurti duhet të jetë vizionar për Kosovën dhe të sqarojë vizionin e qartë për vet Kosovën e pastaj të shkojë të bëhet lider i rajonit.

“Këto fjalimet boshe që qojnë madje përtej kufirit të Kosovës. [Kurti] ka nevojë që fillimisht të jetë vizionar për Kosovën dhe të sqarojë vizionin e qartë për vetë Kosovën e pastaj me shku me pretendu me u bo lider i Rajonit. Këto fjalimet që shkojnë përtej kufijve të Kosovës nuk e di – por prapë nuk ka përgjigje konkrete për neve qytetarëve pasi ne presim qartësi për dialogun dhe qartësi të deklaruar në programin e Qeverisë që nuk kishte ndonjë veprim pasi kishte më shumë përgjithësime se çka do të bëjë”, tha Lushaku.

Analistja politike mes tjerash theksoi se dialogu Kosovë-Serbi po del të jetë prioriteti më i rëndësishëm i Qeverisë Kurti.

“Prej se ka filluar Qeveria Kurti 2 vërehet një lloj diskrepancë në prioritete, nuk është ajo që është deklaruar përpara zgjedhjeve. Dialogu ka qenë i planifikuar si prioriteti i gjashtë siç është deklaruar por ne po e shohim se energjia më e madhe e kësaj qeverie po shkon pikërisht në dialogun dhe në këto takimet rajonale pavarësisht se për to nuk po thuhet se kanë implikim në dialog”.

“Po shihet se ka një koncentrim në këtë pasi brenda pak muajve kemi disa takime dhe disa shkuarje në Bruksel po të ishte prioriteti i gjashtë do të kishim më shumë veprime të ndërmarra në rendin dhe ligjin dhe në veprime të tjera të cilat kanë qenë prioritete të para”, tha Lushaku.