Lumturije Muhadri, gjyqtarja e parë nga Kosova që do të gjykojë ndeshje ndërkombëtare

Ndeshja kualifikuese për Kampionatin Evropian U21, ndërmjet Bullgarisë U21 dhe Uellsit U21, do të gjykohet nga gjyqtarët nga Kosova.

Gjyqtar kryesor do të jetë Visar Kastrati, i cili do të ndihmohet nga asistentët Besnik Morina dhe Lumturije Muhadri, kurse gjyqtari i katërt është caktuar Mervan Bejtullahu.

Për gjyqtaren e futbollit Lumturije Muhadri, e cila do të jetë asistente e dytë, kjo do të jetë ndeshje debutuese në arenën ndërkombëtare.

“Muhadri debuton në këtë rang garash dhe do të bëhet femra e parë shqiptare që gjykon në konkurrencën e meshkujve në garat e UEFA-së”, njofton FFK-ja.

Ndeshja ndërmjet Bullgarisë U21 dhe Uellsit, do të zhvillohet në stadiumin “Slavia” në Sofje, më 7 shtator prej orës 17:30.