Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka prezantuar në Kamenicë kandidatin për kryetar komune, profesorin Shaip Surdullin, duke e vlerësuar atë si njeri me integritet, përvojë dhe përkushtim. Në një tubim me strukturat lokale, Abdixhiku theksoi se Surdulli dhe ekipi prej 20 kandidatëve për Kuvend Komunal përfaqësojnë shpresën për zhvillimin e qytetit.
“Kamenica është një qytet i vogël, por me zemër dhe shpresë të madhe. Këto zgjedhje nuk janë të rëndësishme vetëm për këtë komunë, por vendimtare për LDK-në dhe për gjithë Kosovën. Vota për LDK është vota që i jep fund populizmit dhe dështimit, që i jep fund gjuhës së urrejtjes. Është shpresa për dinjitet dhe një të ardhme evropiane,” tha Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK mbetet alternativa e vetme serioze për të nxjerrë vendin nga kriza politike e vazhdueshme dhe për ta orientuar drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit evropian.
Me këtë prezantim, LDK ka nisur zyrtarisht fushatën në Kamenicë, duke shpresuar të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të sigurojë fitore në këtë komunë.







