Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku ka qëndruar në fshatin Bellobrad të Dragashit, ku është pritur nga banorët lokalë me entuziazëm dhe mbështetje.

Përmes një postimi publik, Abdixhiku ka kujtuar një vizitë të mëhershme në këtë fshat të jugut të Kosovës, kur banorët i kishin sugjeruar të pinte ujë nga kroi pranë xhamisë, duke i thënë se ai ujë “sjell bereqet” dhe “të kthen sërish në këtë vend”.

“U ktheva. Këtë herë me Vjosën”, ka shkruar ai.

Sipas Abdixhikut, gjatë takimit me banorët është diskutuar për çështje që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve të kësaj zone, përfshirë turizmin, furnizimin me ujë, infrastrukturën dhe mungesën e vëmendjes institucionale ndër vite.

Ai ka vlerësuar qëndrueshmërinë dhe mikpritjen e banorëve të Bellobradit, duke theksuar se, pavarësisht largësisë dhe sfidave, ata “nuk janë dorëzuar kurrë”.

Në fund, Abdixhiku ka falënderuar qytetarët për pritjen dhe mbështetjen, duke lënë të kuptohet se do të rikthehet sërish në këtë zonë.

“Do të kthehemi sërish. Sepse pimë ujin e kroit sërish”, ka përfunduar ai.