Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar një takim me asambleistët e kësaj partie pas tubimit të madh të hapjes së fushatës zgjedhore.

Abdixhiku bëri të ditur se në një koktej të përbashkët janë mbledhur 205 asambleistët e LDK-së, të cilët i cilësoi si fituesit e zgjedhjeve të fundit lokale dhe si forcën kryesore të partisë në çdo komunë.

“205 asambleistët tanë janë forca jonë në çdo komunë, zëri ynë pranë qytetarëve dhe pjesë e pandashme e rrugëtimit tonë nacional”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai theksoi se angazhimi i tyre në këtë proces zgjedhor nuk është vetëm për LDK-në si subjekt politik, por edhe për qytetarët dhe kauzat që përfaqësojnë çdo ditë.

Sipas Abdixhikut, asambleistët e partisë kanë dëshmuar mobilizim, përkushtim dhe besim të palëkundur gjatë fushatës, duke shtuar se me njerëz të provuar në betejat politike dhe pranë qytetarëve, rrugëtimi i LDK-së bëhet më i fortë dhe më bindës.

“Bashkë, drejt fitores”, përfundoi ai.