Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar sot se ka larguar prokurorin Agron Uka nga rasti i vrasjes së të riut në Deçan, Agonis Tetaj.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga kryeprokurori Lumezi, u tha se lënda do t’i caktohet një prokurori tjetër, shkruan lajmi.net.

“Si Kryeprokuror i Shtetit jam i shqetësuar dhe njëkohësisht i gatshëm që drejtësia të shkojë në vend. Prandaj, për të parandaluar njëanshmërinë dhe për t’iu shmangur paragjykimeve për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, sot kam marrë vendim që brenda kompetencave të mia ligjore të marrë lëndën nga prokurori i çështjes dhe ta ricaktoj atë te një prokuror tjetër”, u tha në komunikatë.

Mirëpo këtu nuk përfundon me kaq. Zyra e Kryeprokurorit Lumezi ka paralajmëruar se ndaj atyre që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin, do të ketë pasoja.

“Po ashtu, pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre”, thuhet tutje në njoftim.

“Prandaj është e rëndësishme për të gjithë dhe për publikun e gjerë të kuptohet se Prokurori i Shtetit nuk bënë përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon”, thuhet tutje aty.

Rasti i vrasjes së Agonit Tetajt ishte transferuar çuditërisht nga Prokuroria e Pejës në atë të Gjilanit, e ku prokuror i çështjes ishte caktuar Agron Uka.

Ky i fundit e kishte riklasifikuar këtë vepër penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje aksidentale”.

Kjo kishte shkaktuar reagimin e babait të viktimës i cili dje publikoi videon e momentit të vrasjes së birit të tij.