Lulzim Basha përjashton Sali Berishën nga grupi i deputetëve të PD-së

Kryetari Lulzim Basha përjashtoi nga grupi i deputetëve themeluesin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, dy herë ish-president dhe dy herë ish-kryeministër.

Zoti Basha në një deklaratë mbrëmjen e së enjtes tha se përjashtimi i ish-kryetarit Berisha ishte vendimi më i vështirë që ka ndëmarrë ndonjëherë.

“Nga ana ime prej dy muajsh e gjysëm kam bërë të gjitha përpjekjet më intensive për gjetjen e një zgjidhje në lidhje me këtë çështje”-tha ai.

Kryetari Basha tha se zoti Berisha nuk do të jetë në deputet në grupin demokrat opozitar derisa të sqarohet shpallja si person “i padëshiruar” (“Non Grata”) bashkë me familjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për zotin Basha, vetë ish-kryetari Berisha ka ndërmarrë padi në Gjykatën Korrektuese të Parisit duke mos e përfshirë Partinë Demokratike dhe grupin e deputetëve.

“Zoti Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen. Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike”-ptha kryetari Basha.

Megjithatë zoti Basha vërejti se tjetërçka priste opozita nga ndërkombëtarët:

“Për fat të keq, kur të gjithë ne prisnim që gishti i përgjegjësisë të drejtohej drejt Edi Ramës; autorit, ekzekutorit dhe bashkëpunëtori i masakrës elektorale të 25 prillit; njeriut që në këto 8 vite, për shkak të korrupsionit masiv në çdo sektor dhe lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar, e ka lënë Shqipërinë në vendnumëro në zbatimin e reformave që i duhen vendit, si anëtar i NATO-s dhe aspirant për vend anëtar i Bashkimit Europian; të gjithëve bashkë na u desh të njiheshim me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit për shpalljen non-grata të ish Presidentit, ish Kryeministrit dhe Liderit historik të Partisë Demokratike Sali Berisha”.

Kryetari Basha theksoi se vendimi i përjashtimit nuk e cënon aspak ndihmesën dhe arritjet e zotit Berisha si lider historik i Partisë Demokratike, si President apo Kryeministër i Shqipërisë gjatë 30 vjetëve dhe as marrëdhëniet me aleatin kryesor amerikan.

“Gjatë kohës që z. Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte”-tha Basha.

“Rrugëtimi i Sali Berishës në politikë nuk ndahet dot nga rrugëtimi i Partisë Demokratike dhe sukseseve të saj në qeverisjen e vendit dhe mbrojtjen e interesit publik”-shtoi zoti Basha.