Lul Raka thotë se AstraZeneca është e sigurt: 21 ditë pas dozës së parë, jeni të mbrojtur 100% nga vdekja

Lul Raka ka marrë vaksinën e parë anti-Covid. Mikrobiologu i njohur kosovar është vaksinuar në Kaçanik me vaksinën e AstraZenecas.

Raka ka thënë se kjo vaksinë është e sigurtë dhe se 21 ditë pas marrjes së dozës së parë, pacienti është i mbrojtur nga hospitalizimi dhe vdekja.

Raka ka dhënë arsye se pse nuk është vaksinuar deri më tani, pse duhet të vaksinohen të gjithë dhe se në cilën fazë të pandemisë ndodhemi tani.

Pse nuk jam vaksinuar deri sot?

Sepse ende nuk i kam as 5 muaj nga shërimi prej kovidit dhe në kohën kur Kosova ka numër simbolik vaksinash nuk kam dashur ta marr vaksinën para atyre që janë më të rrezikuarit dhe kanë nevojë më së shumti për vaksinë: të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike. Vaksinën e ka marrë edhe gjyshja ime 89 vjeçare, e për ta marrë vaksinën po pret në rend edhe axha im si pensionist e punëtor shëndetsor 75 vjeç edhe djali im 19 vjeç me
probleme kronike shëndetësore.

Pse tash po vaksinohem?

Për të dërguar mesazh tek ata punëtorë shëndetësorë që po ngurrojnë të vaksinohen. Kohëve të fundit kemi parë se në spitalet rajonale në Gjilan, Prizren e Pejë, por edhe në të gjitha institucionet shëndetësore ka punëtorë që kanë dyshime për vaksinim. Nëse ata dyshojnë në vaksinim, atëherë, ndoshta do të duhej ta heqin mantilin e bardhë dhe të kërkojnë ndonjë punë tjetër për të mbajtur familjen.

Pse po ngurrojnë mjekët për t’u vaksinuar?

Disa kanë thënë se po frikohen nga efektet anësore të vaksinës, me theks të veçantë në mpiksjen e gjakut nga vaksina Astra-Zeneka. Efekte anësore ka çdo vaksinë. Por ethet apo dhembja kalimtare sot është shumë më e lehtë sesa gypi i respiratorit në kujdesin intensive në spitalin Covid nesër!
Nëse e krahasojmë rrezikun e mpiksjes së gjakut, e shohim se deri sot janë regjistruar 4 raste mpiksjesh në 1 milionë të vaksinuar. Por në anën tjetër ky rrezik te përdorimi i pilulave kontraceptive është deri 1200 raste në 1 milionë gra; apo 1763 raste në 1 milionë duhanxhinj dhe së fundmi 165.000 raste të mpiksjes ndodhin në 1 milionë pacientë të cilët janë të sëmurë me kovid. Vaksina Astra-zeneka, 21 ditë pas marrjes së dozës së parë, mbron 100% nga vdekja dhe hospitalizimi.

Deri sot janë vaksinuar miliona njerëz në botë me këtë vaksinë, përfshirë edhe liderë si Angela Merkel e Albin Kurti dhe prijësit e vijës së parë të luftës kundër kovidit në vend në krye me Salih Ahmetin. Nuk e di çka pop resin punëtorët shëndetësorë! Kur jemi te efektet anësore dhe rreziqet kemi plot shembuj tjerë në jetën e përditshme,
duke filluar prej duhanit. Të gjithë e dijmë se duhani vret. Ky mesazh shkruan në çdo paketë të cigareve. Duhani vret 6 milionë njerëz në botë brenda një viti, por ju vazhdoni me pasion ta pini duke rrezikuar veten dhe fëmijët e vegjël që rrijnë në një dhomë me Ju. Pijet e sheqerosura që shkaktojnë diabet, sëmundje kardiovaskulare e obezitet (si psh.
Coca-cola) shkaktojnë 184.000 vdekje në vit në mbarë botën- mija herë më shumë sesa vaksina! Tjetër, rreziku për të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit është më i madh sesa vdekja nga vaksina, por ju vazhdoni të hipni në aeroplan. Rreziku për të humbur jetën në trafik komunikacioni është edhe më i madh, por Ju vazhdoni të udhëtoni me veturë e autobus.
Një arsyetim tjetër i mjekëve tanë ka qenë pritja për vaksina tjera “më të mira”. Por, mund të ndodh që do ta humbni rendin dhe do të duhej të prisni deri sa të vaksinohen të gjitha kategoritë me dozën e parë.

Cili është mesazhi?

Deri sot kemi mbi 2000 jetë njerëzish të humbura në vend, mijëra tjerë që kanë kaluar katrahurën e sëmundjes me 100 sfida. Askush nuk e di në cilën derë do të trokasë vdekja nesër e pasnesër.
Fatkeqësisht, shumë njerëz në Kosovë po mendojnë se e drejta për makiato apo kanagjegj është më e madhe sesa e drejta për jetë.
Varianti i ri po bartet shumë shpejt duke prekur edhe moshat e reja. Prandaj individi e ka fatin e kësaj përballje në dorë.
Zbatoni masat sepse vetëm kështu mbroni familjen Tuaj! Kurse, spektri politik duhet ta kuptojë që ne e kemi vetëm një armik të përbashkët- Covidin, e jo njëri tjetrin, ka thënë Raka për Indeksonline!

VAKSINA ËSHTË NISJE E KTHIMIT NË NORMALITET. ËSHTË PARANDALIM I
VDEKJES, HOSPITALIZMIT, KTHIM NË PUNË, RESTORAN, FABRIKË, TEATËR,
STADION E DARSËM.
PRANDAJ VAKSINOHU, MOS MENDO DY HERË!